E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tumoret te gratë, 2970 papteste dhe kolposkopi në 3 muaj



Projekti për kryerjen e paptesteve dhe kolposkopive, ka rezultuar pozitiv dhe parandalues për tumoret te femrat. Projekti i zbatuar në kuadër të programit INTERREG III, ka 3 muaj që ka filluar, ndërsa deri tani janë kryer 2970 ekzaminime në 4 qendra në vend. Ekzaminimet kryhen falas deri në fund të përfundimit të projektit. Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardh Spahia, sqaroi se deri tani në Durrës janë zhvilluar rreth 600 ekzaminime, në Fier 310 ekzaminime, në Shkodër 700 ekzaminime dhe në Tiranë 1360 ekzaminime. Gratë janë sensibilizuar për kryerjen e ekzaminimeve për parandalimin e sëmundjes së kancerit të qafës së mitrës kryesisht, por dhe të sëmundjeve të tjera në aparatin gjenital femëror. Spahia u shpreh se projekti po rezulton i suksesshëm edhe pse filloi pak më vonë se projekti për depistimin e kancerit të gjirit. Projekti për diagnostikimin falas të kancerit të gjirit është drejt përfundimit. Statistikat e ministrisë tregojnë se rreth 250 gra në mbarë vendin kanë kapur në kohë sëmundjen e kancerit të gjirit, nga 11 mijë vizita që janë kryer deri tani. Projekti për diangostifikimin e grave nga kanceri i gjirit, tashmë do të të bëhet me para. Burime nga Ministria e Shëndetësisë flasin për një mundësi shtyrje të projektit për shkak të numrit të madh të grave që kryejnë vizita. Në të kundërt, Ministria e Shëndetësisë do të vendosë se cilët do të jenë mjekët specialistë që do të marrin në dorë këtë shërbim. Njëkohësisht do t’i duhet që të vendosë një tarifë për kryerjen e vizitës, sipas një kostoje që do të duhet edhe për konsumin e materialeve që kërkon Mamografia.

QSUT, mungojnë solucionet për dezinfektimin e pavijoneve

Solucionet që bëjnë dezinfektimin e korridoreve apo të dhomave të pavijoneve mungojnë prej disa muajsh në QSUT. Sanitaret shpjegojnë se mungesat vijojnë prej disa muajsh dhe ato lajnë të gjitha ambientet vetëm me ujë, pa përdorur dezinfektantë. Kjo është një çështje problematike, e cila mund të bëhet shkak për përhapjen e shumë sëmundjeve në QSUT apo marrjen e mikrobeve të ndryshme. Mjekët pranojnë se pacientët që shtrohen në spital janë të predispozuar për marrjen e mikrobeve të ndryshme. Madje disa mjekët konfirmojnë se mjaft pacientë janë prekur nga infeksione të ndryshme. Por, duke mos kryer dezinfektimin e herëpashershëm të ambienteve, pacientët mund të preken nga viruse që mund të jenë të dëmshëm për ta. Të tilla raste ka pasur edhe më parë ku mjaft pacient kanë rrezikuar jetën për shkak të marrjes së viruseve. Vetëm dy muaj më parë disa pacientë në Urgjencën Kirurgjikale u prekën nga bakteri Pseudomonas, i cili ndodhej në dhomat e operacioneve dhe merrej gjatë ndërhyrjes kirurgjikale.

8 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›