E Diel, 1 Nëntor 2026

Preçi: Amnistia fiskale ndihmon biznesin e qeverinë

 "Pro" amnistisë fis-kale, por kjo të jetë e shoqëruar me një debat të gjerë dhe konsultime me ndërkombëtarët. Kështu shprehet një nga ekonomistët më të njohur dhe ish-ministri Zef Preçi, në një intervistë për "Panoramën". Edhe pse e përkrah idenë e amnistisë, ai propozon që kjo e fundit të zbatohet sëbashku me disa masa të tjera, siç është heqja e një detyrimi, i njohur si "pagat e referencës". Po si e sheh ai ndryshimin më të fundit në ligjin "Për Procedurat Tatimore", a ekziston rreziku që me zbatimin e amnistisë fiskale të rëndohet gjenda e biznesit edhe si rezultat i veprimit të "Ligjit Anti-mafia". është folur dhe flitet për amnistinë fiskale. A mendoni se janë  pjekur kushtet për një amnisti të plotë fiskale, sikurse po kërkon komuniteti i biznesit këto ditë mbas miratimit të ndryshimit ligjor për taksimin 10% të shtesës së kapitaleve të shoqërive, të cilit nuk i deklarohet burimi?Qysh në krye të herës, më duhet të theksoj se amnistia fiskale nuk është diçka që mund të bëhet nën presion, qoftë ky edhe nga komuniteti i biznesit, apo për të cilën mund të ketë një kohë të paracaktuar se kur duhet ndërmarrë. Aq më tepër nuk mund të flitet për një amnisti të plotë fiskale, domethënë që ezauron problemin dhe mbas kësaj mund të flitet vetëm për ekonomi formale, domethënë të çojë drejt zeros sektorin informal të saj. Nëse do të ishte kështu nuk do ta ndërmerrte një masë të tillë para pak vitesh një vend si Gjermania, një ndër ekonomitë më të zhvilluara të botës. Pavarësisht kësaj, unë jam i bindur se gjatë dekadës së fundit kanë qenë të gjithë gjasat që një reformë e tillë të ndërmerret, por me gjithë hapat e shënuar, përsëri kanë qenë elemente pjesore dhe që nuk kanë dhënë atë ndikim të pritshëm në nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Mund të përmend këtu faljen e herëpashershëm të detyrimeve të biznesit, sa u takon sigurimeve shoqërore apo të gjobave për mospagimin e tyre. Ndërsa masa më e plotë në drejtim të amnistisë fiskale nga ana e Qeverisë deri më sot ka qenë dhe mbetet procesi i legalizimit të ndërtimeve informale, një masë e cila me gjithë përgatitjet e kryera dhe infrastrukturën e plotë ligjore dhe institucionale, nuk ka dhënë plotësisht frytet e pritshme. Këtu e kam fjalën për një "boom" të ardhurash në buxhetin e shtetit, të mjaftueshme njëkohësisht, si për investimet publike në drejtim të urbanizimit të zonave informale, ashtu edhe për krijimin e burimeve monetare të nevojshme për kompensimin monetar të pronareve, në tokat apo trojet e të cilëve janë ngritur vend-banimet informale që legalizohen. Fakti që Qeveria caktoi çmimet e trojeve/tokave të zëna në rrugë administrative dhe dukshëm nën nivelin e tregut merr në konsideratë statusin ekonomik të familjeve të vendosura në vendbanimet informale dhe synonte të nxiste kryerjen e pagesave nga ana e tyre në këmbim të njohjes së tyre edhe si pronarë legjitimë mbas likuidimit të shumës përkatëse. Ngadalësia e këtij procesi si dhe fakti se vendi prej gati dy vjetësh gjendet në një situatë krize ekonomike, reflekton përkeqësimin e statusit social-ekonomik të kësaj kategorie të familjeve shqiptare, gjë që shtyu Qeverinë të zvogëlojë shumën e pagesës së secilës prej tyre përmes përdorimit të bonove (letrave me vlerë) të privatizimit. Me këtë rast u krijua një lloj gjallërimi i tregut të këtyre letrave dhe u rrit vlera e tregtimit të tyre në tregun e lirë. Para pak ditëve, Kuvendi miratoi ndryshimin në ligjin "Për Procedurat Tatimore" që krijon mundësi për legjitimin kundrejt taksimit me 10 për qind të shumës, që shkon për rritjen e kapitalit të një kompanie biznesi, të cilave nuk u është deklaruar burimi. Domethënë ndërmori një hap serioz që mund të identifikohet si një amnisti fiskale e mirëfilltë. Kjo masë mendoj se është në drejtimin e duhur mbasi siç dihet, një pjesë e konsiderueshme e parave - më shumë se 1/3 e tyre, vazhdojnë të qarkullojnë jashtë kanaleve bankare, pjesa më e madhe e të cilave vijnë nga puna e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit. Në kushtet kur huatë bankare sigurohen përmes procedurave të rrepta burokratike dhe me norma interesi mjaft të larta në kontekstin e krizës aktuale ekonomike, përdorimi i këtyre parave informale, të siguruara nga burime jashtë aktivitetit të vetë sipërmarrjeve private përbën një dukuri normale për një pjesë të konsiderueshme të bizneseve shqiptare, pa folur për fshehjen e taksave -evazionin fiskal në periudhat e mëparshme, sidomos në fillimet e veprimtarisë së shumicës së tyre. Miratimi tepër i shpejtë i këtij ndryshimi ligjor, pa këshillim me grupet e interesit, rrezikon që qëllimi i këtij ndryshimi ligjor të mos kuptohet si duhet nga komuniteti i biznesit dhe kështu të komprometohet edhe shpresa kryesore e Qeverisë për rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit për këtë shkak. Mendoj se përveç interpretimeve politike të paevitueshme për masa fiskale të kësaj natyre, mungesa e debatit publik dhe këshillimeve me grupet e interesit rrezikon keqkuptime serioze, që kanë filluar të shfaqen edhe dy-tre ditët e fundit në faqet e shtypit duke ju referuar këtu, konfindustrisë, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Mendoj se është detyrë e Qeverisë që të sqarojë qartë dhe publikisht për motivet e ndërmarrjes së kësaj mase dhe pritshmërinë nga vënia në jetë e saj. Në këtë kuptim, çmoj se është i gabuar dhe shprehje e një keqkuptimi të madh kundërshtimi (apo më keq, denoncimi) i kësaj mase si taksë mbi kontributet e emigrantëve, ashtu sikurse ndonjë tjetër nga komuniteti i biznesit mendon se tashmë "është bërë deti kos" dhe kështu i është hapur shtegu futjes në qarkullimin ekonomik të parave të pista që vijnë nga burime kriminale, siç janë trafiqet e ndryshme, apo korrupsioni me paratë publike. Për gjithkënd duhet të jetë e qartë se paratë që kanë burime të tilla nuk mund të legjitimohen në asnjë rrethanë, se për ndëshkimin e shkelësve të ligjit edhe në këtë fushë nuk mund të ketë kurrë amnisti, se asnjë vend në botë, as ato diktatoriale apo të njohura si vende prodhuese të drogës, në fakt nuk janë "parajsa fiskale", krimi ligjërisht është dhe mbetet i ndëshkueshëm dhe i paparashkrueshëm edhe në këto vende.Në vlerësimin tuaj, nga se është motivuar qeveria në ndryshimin e fundit ligjor që po diskutojmë?   Sipas mendimit tim, në ndërmarrjen e kësaj mase duket qartë se Qeveria është motivuar nga rënia e të ardhurave fiskale e konfirmuar qysh në tremujorin e fundit të vitit 2009, nga ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe parashikimet aspak optimiste për vitin që sapo ka filluar, nga shtimi i parave që qarkullojnë jashtë bankave në krahasim me një vit më parë. Pra ky ndryshim ligjor mbështetet kryesisht në një motivim të fortë fiskal, shumë më tepër sesa nga nevoja për të ndërmarrë politika më miqësore ndaj biznesit, domethënë nga nxitja e këtij të fundit për zgjerimin e aktivitetit në periudhat që vijnë. Në të vërtetë, sipas mendimit tim problemi themelor në marrëdhëniet e qeverisë me komunitetin e biznesit qëndron në nivelin e tensionimit të këtyre marrëdhënieve, të krijuar qysh me ligjin e gjobave, referencave, rivlerësimeve të herëpashershme dhe në rritje të detyrimeve ndaj shtetit.Shihet qartë se ju jeni në favor të amnistisë fiskale të ndërmarrë nga Qeveria, çfarë mendoni se duhet bërë për të bërë efektive zbatimin e saj?Duke mbështetur këtë masë të Qeverisë, si një lëvizje në drejtimin e duhur, mendoj se amnistia fiskale e ndërmarrë së fundmi do të ishte shumë më e efektshme nëse do të shoqërohej edhe me masa të tjera, një ndër të cilat gjej rastin ta propozoj në vijim. Duke marrë në konsideratë përparimin e shënuar në heqjen e barrierave ndaj hyrjes në biznes, përmirësimin dhe thjeshtëzimin e procedurave të licencimit, si dhe gjendjen e krizës që po kalon ekonomia botërore dhe ajo kombëtare, mendoj se janë të gjitha rrethanat që krahas me masën e mësipërme të hiqet edhe detyrimi i njohur si "pagat e referencës", për efekt të llogaritjes së sigurimeve shoqërore nga sipërmarrjet private. Natyrisht që kjo masë nuk mund të ndërmerret pa një pakt publik midis qeverisë dhe komunitetit të biznesit, në të cilin ky i fundit të angazhohet për të mbajtur në punë punëtorët ekzistues si dhe për zgjerimin e tyre edhe për efekt të legjitimit të shtesës së kapitalit, të cilit nuk i është deklaruar burimi i krijimit të tij. Kjo do të bënte që çlirimi dhe legalizimi i kapitaleve, përkohësisht jashtë qarkullimit ekonomik, të kishte efekt në ekonominë kombëtare në tërësi dhe jo thjesht të siguronte disa të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit (siç edhe mund të ndodhë në mënyrën se si po veprohet aktualisht). Ndoshta këtu duhet përqendruar edhe debati publik dhe duhet tërhequr edhe opinioni i komunitetit të biznesit. Dobia e kësaj mase qëndron në nxitjen e biznesit për zgjerimin e veprimtarisë së vet, për ruajtjen dhe zgjerimin e punësimit shumë më tepër se në nevojën për të rritur të ardhurat buxhetore në buxhet, në një vit krize si ky që sapo ka nisur. Mendimi im është se ndërmarrja e një pakti të tillë me vlera të padiskutueshme sociale mund dhe duhet të kalojë përmes një debati të hapur publik, një konsultimi teknik hap pas hapi me FMN-në dhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe eventualisht edhe të një procesi konsensual politik në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo mund të jetë edhe përgjigja më e drejtpërdrejtë ndaj krizës dhe efekteve të saj që pritet të jenë serioze në ekonominë tonë kombëtare edhe gjatë vitit 2010.A ka rrezik që ndërmarrja e amnistisë fiskale njëkohësisht me fillimin e zbatimit të ligjit anti-mafia të rëndojë gjendjen e biznesit dhe të inkurajojë "gjuetinë" ndaj tij mbi baza selektive nga ana e Qeverisë?Nisur nga debatet e këtyre ditëve mund të thuhet se ndryshimet e ditëve të fundit në ligjin "Për Procedurat Tatimore", rrezikon të krijojë keqkuptime serioze me ligjin e miratuar jo shumë kohë më parë, të njohur si "Ligji Anti-Mafia". Siç dihet, sipas atij ligji do të sekuestrohen "të gjitha pasuritë për të cilat ka të dhëna që janë vendosur në rrugë të paligjshme", ndërsa debatet në shtyp kanë qenë përgjithësisht kundërshtuese ndaj atij ligji, sidomos nga ana e përfaqësuesve të komunitetit të biznesit. Përveç qëndrimeve të motivuara politikisht "pro" dhe "kundër" këtyre dy ligjeve, me përmbajtjen e të cilave nuk ja vlen të ndalemi, mendoj se është evident rreziku që në mungesë të debatit publik dhe të këshillimeve me grupet e interesit, veçanërisht me komunitetin e biznesit, zbatimi i tyre të varet dukshëm nga vullneti i inspektoreve tatimorë apo njësive të tjera që merren me gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të vëna në rrugë të paligjshme. Për kapërcimin e ambiguitetit dhe paqartësive në dy ligjet e mësipërme, mendoj se autoritetet shtetërore duhet të hartojnë menjëherë aktet përkatëse nënligjore që mundësojnë vendosjen e një "vije të qartë demarkacioni" ndërmjet objektit të zbatimit të këtyre dy ligjeve, si dhe të kufizojnë fuqinë e individëve të ndryshëm në zbatimin e tij duke garantuar shqyrtimin nga gjykata të kundërshtimit të palëve të përfshira. Përndryshe, zbatimi selektiv i ligjit, rrezikon ta shndërrojë atë në një instrument të rrezikshëm për penalizmin mbi kritere politike të tij, pa folur për korrupsionin që rrezikon të shtohet me këtë rast. Për secilin duhet të jetë e qartë se paratë që disponojnë në formën e punës së akumuluar qytetarët apo bizneset, përfaqësojnë thërrmija të rëndësishme të pasurisë kombëtare, se qeveritë dallohen në politikat stimuluese që ndërmarrin nga aftësia për t'i vënë ato në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social, rritjes përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve të vendit. Ja përse nga zbatimi i kësaj mase përfitojnë njëkohësisht qeveri, shtohen të ardhurat në buxhetin e shtetit, për bizneset normalizohen marrëdhëniet e tyre me administratën fiskale dhe qytetarët, ruhet dhe zgjerohet punësimi, aq i nevojshëm në një situatë krize ekonomike si kjo që po përjetojmë prej më shume se një viti. Ajo që kërkohet në këto rrethana nga ana e Qeverisë është vullnet politik për zbatimin e ligjit pa bërë diferencime, përgjegjshmëri nga ana e opozitës për mbështetjen e kësaj mase të qeverisë me një pakt politik e social në dobi të punësimit, si dhe evitim të konfondimit të qëllimtë të amnistisë fiskale - nga çdo palë që të jetë, me pastrimin e parave, një krim të dënueshëm kudo dhe në çfarëdo rrethane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›