E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londra në natën e tretë të dhunës

Londra ka kaluar natën e tretë të akteve të dhunës, që është përhapur edhe në qytete të tjera të Anglisë. Rreth 1700 policë shtesë u vendosën për të ruajtur sigurinë në kryeqytet, ku dyqane të shumta u plackitën dhe shumë ndërtesave iu vu flaka. Edhe në qytete të tjera si Liverpul, Birminghem, Notinghem dhe Bristol u regjistruan gjithashtu akte dhune. Ndërkohë, nurmi i personave të arrestuar lidhur me aktet e dhunës ka shkuar në 450, ndërkohë që ndaj 69 të tjerëve janë ngritur akuza për keqbërje. Sipas Scotland Yard, tre vetë u arrestuan të martën nën dyshimin për tentativë vrasjeje të një oficeri policie që u godit nga një makinë në Brent, në veri-perëndim të Londrës, teksa përpiqej të ndalonte dy plackitës.

Jo vendimit për të nxjerrë ushtrinë në rrugë

Numri i emergjencës së policisë londineze 999, gjatë 24 orëve të fundit ka pasur një volum prej 400 për qind më shumë se zakonisht. Ndërkohë, zjarrfikësit e Londrës kanë pasur natën më të ngarkur në dekadat e fundit. 450 vetë janë arrestuar dhe qelite e policive në Londër janë të mbushura, ndërkohë që shumë nga të arrestuarit janë dërguar nëpër rajonet e policisë, jashtë kryeqytetit britanik. Komisioneri i Policisë Metropolitane përjashtoi mundësinë e dërgimit të ushtrisë nëpër rrugë, për të vendosur rendin. Ndërkohë, për shkak të gjendjes së krijuar në Londër, ndeshja miqësore në futboll mes Anglisë dhe Holandës e planfikuar për të luajtur të mërkurën në Uembli është anuluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›