E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuneli i Kalimashit, hapet më 15 maj

11/03/2010 Vetëm pjesa jugore funksionale, në anën tjetër do të vazhdojnë punimet

Në datën 15 maj do të hapet sërish tuneli jugor i Thirrës, në Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Lajmi u bë i ditur dje nga zëvendësministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ernest Noka, i cili deklaroi se tuneli jugor do të hapet më 15 maj, ndërsa punimet në tunelin verior do të vijojnë. Tuneli i Thirrës u mbyll në fillim të muajit tetor të vitit që lamë pas. MPPTT njoftoi se tuneli i Thirrës, në segmentin Rrëshen-Kalimash, të autostradës Durrës-Kukës-Morinë, do të mbyllet për shkak të vijimit të punimeve për instalimin e pajisjeve elektromekanike. Në njoftimin e MPPTT-së thuhej se "tuneli do të mbyllet me qëllim që ti jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situatë kjo e paparashikuar për të cilën kontraktori po punon në vijimësi". Pas mbylljes së tunelit, kalimi i mjeteve devijoi përmes aksit të vjetër rrugor, në drejtimin Morin-Kukës-Shpal-Rreps-Rrëshen-Milot dhe anasjelltas. Autostrada Durrës-Kukës-Morinë, 170 kilometra e gjatë, që u vu në punë më 25 qershor 2009, shkurton në mënyrë të ndjeshme distancën mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa rriti ndjeshëm qarkullimin e njerëzve dhe të mjeteve në sezonin veror. Pjesë e autostradës Durrës-Morin është dhe tuneli Thirrë-Kalimash, në segmentin Rrëshen-Kalimash. Tuneli Thirrë- Kalimash dhe anasjelltas, i hapur në një masiv shkëmbor, ka dy hyrje veriore dhe jugore, me gjatësi 5.6 kilometra secila. Ndërtimi i kësaj autostrade përfshiu përveç dy tuneleve paralele me nga 5.5 km gjatësi edhe 29 ura. Afro 4.5 km rrugë është mbi urë dhe struktura deri në 80 m lartësi. E gjithë kjo vepër inxhinierike u ndërtua nga kompania amerikano- turko Bechtel & Enka. Autostrada e re, e konsideruar nga qeveria si një vepër gjigande, kalon në Durrës-Vorë-Fushë Krujë-Milot-Rrëshen-Reps-Thirrë-Kalimash-Kukës-Morinë. Gjatësia totale e kësaj autostrade llogaritet 170 km, nga të cilat 111 km rrugë e re.

Zgjidhja

Pas mbylljes së tunelit të Kalimashit, qytetarët që udhëtonin për në Tiranë gjetën një zgjidhje alternative për të shkurtuar udhëtimin, duke kaluar mbi pjesën e sipërme të tunelit ose në vendin e quajtur Qafa e Kumbullave. Rruga e shkurtër që kalon sipër masivit të malit të Thirrës dhe Kalimashit është 22 km, me një terren mjaft të vështirë dhe mund të përshkohet vetëm me fuoristradë.

Afati

Fillimi i vjeshtës parashikohet të jetë afati i fundit i vendosur nga specialistët për hapjen e galerisë veriore në Kalimash. Ky tunel pësoi shembje masive gjatë muajit shtator të vitit të kaluar, çka u solli mjaft probleme kompanisë Bechtel-Enka. Shkak për këtë situatë u bë shembja e një masivi të madh dheu e inertesh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›