E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drita Pelinku Një katalog për 85-vjetorin

11/03/2010 Është tërhequr nga skena, por emocionet që provoi mbetën në rolet që u dha jetë. Asgjë nuk harrohet për të... Kur vitet mblidhen dhe orët bien si një kambanë, ajo që e ngacmon Drita Pelinkun është e shkuara, por jo thjesht ajo. Mëritë kërkon t’i lërë mënjanë: vitet ia kanë provuar se sa pak vlejnë... Tani i mbetet të shijojë ditët gati vjeshtake, në pritje të pranverës... Në këtë 85-vjetor të lindjes nuk ndodhet në shtëpi. Ka zgjedhur të shkojë tek një mikesha e saj. Ndërsa, ky përvjetor është një arsye më tepër që të kujtohet në Teatrin Kombëtar ditën e sotme.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit prezanton të parin album fotografik për karrierën skenike dhe kinematografike të aktores, pedagoges dhe regjisores. Promovimi i katalogut artistik të Drita Pelinkut “Mjeshtre e madhe” do të shoqërohet edhe me shfaqjen e një montazhi me rolet e saj më të mira të karrierës.

Për herë të parë në një album artistik shfaqet jeta private dhe artistike e Drita Pelinkut. Albumi prej 112 faqesh, nëpërmjet fotove të shumta, të cilat përmbledhin 83 vjet jetë, duke nisur nga fëmijëria, rinia, hapat e parë në art, si dhe rolet e saj më të spikatura në teatër dhe kinematografi, të shoqëruara me komente nga vetë aktorja si dhe nga miq, kolegë e personalitete të tjera, por edhe veprimtaria si pedagoge në Akademinë e Arteve, si regjisore dhe pjesëmarrje në shumë aktivitete të tjera, me familjarë, me bashkëshortin, artistin e shquar të Teatrit të Operës dhe Baletit, Hysen Pelinku, me miq, kolegë, studentë dhe aktorë të respektuar, është një nderim për artisten e nderuar, e cila është jo vetëm artiste e shquar, pedagoge e nderuar e sa e sa brezave, por edhe si nënë e si grua shembullore, një grua model, të cilën Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit e zgjodhi për të festuar 7-8 Marsin.

Albumi fotografik përmbledh tre shtyllat kryesore të veprimtarisë artistike të znj. Pelinku, aktore e më se 120 roleve në teatër dhe në film, regjisore e dhjetëra pjesëve në disa teatro, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, si dhe pedagoge e shumë brezave, 33 vjet në Akademinë e Arteve.

Drita Pelinku u lind në Vlorë më 3 dhjetor 1926. Është e para aktore e shkollës dramatike në vitin 1945. Në Teatrin Kombëtar e ka nisur karrierën në vitin 1946, ndërsa roli i fundit ka qenë në vitin 2009 me monodramën “Rouz”. Ka interpretuar me shumë sukses mbi 120 role, ku është vlerësuar me çmime e tituj. Mban titullin “Artiste e merituar” (1986) dhe “Mjeshtre e madhe” (2000). Për herë të fundit, Pelinku është ngjitur në skenë në janar 2009, me rolin e një gruaja hebreje 80-vjeçare. “Rouz” ishte monodrama e Martin Sherman me regji të ish-studentit të saj, Bujar Alimani.

B. Goce

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›