Tuneli i Kalimashit vijon të jetë pa energji elektrike

FOTO ARKIV
(E PERDITESUAR)- Ata që kanë pasur mundësi të udhëtojnë dje e sot në Rrugën e Kombit do jenë përballur me një problem. Në tunelin e Kalimashit nuk ka pasur energji elektrike. Në të dy galeritë ka munguar energjia. Shkak për këtë problem është bërë dëmtimi i një kablli, që ka lënë pa drita më shumë se 3 kilometra në secilën galeri. Qeveria ka ndërmend që tuneli të bëhet shumë shpejt me pagesë, për të justifikuar pagesat për mirëmbajtjen. Pasi kanë paguar mbi 1.2 miliard euro për atë copë rrugë, qytetarët do vazhdojnë të paguajnë rregullisht për mirëmbajtjen e saj.
Për udhëtarët, rrugëtimi aty ka qenë në disa raste aventurë. Kështu, qeveria Berisha urdhëroi hapjen e tunelit pa mbaruar punimet, duke rrezikuar jetën e udhëtarëve. Më pas tuneli u shemb, me një kosto prej miliona eurosh. Nga nxitimi elektoral, qeveria harxhoi disa miliona euro të tjera për shkak se ndërtoi një bypass që lidhej me rrugën për shkak të një ure që nuk kishte përfunduar akoma. Ndërkohë, e vërteta është se rruga në një pjesë të mirë të saj deri në Morinë ka shumë probleme, nuk është zgjeruar, e madje një urë shumë e rëndësishme nuk ka shanse të bëhet.