E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondi për (mos)kompensimin fizik

01/11/2011  Reagon nënkryetari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”: Deklaratat për kompensim fizik fjalë boshe

Reshit Vorpsi: Qeveria t’i drejtohet Parlamentit për të gjetur zgjidhjen më të mirë

Shteti shqiptar duhet të bëjë publik detyrimin që ka ndaj ish-pronarëve për kompensimin fizik. Ky është reagimi i nënkryetari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Reshit Vorpsi, lidhur me procesin e kompensimit fizik të pronave. Madje, për të zgjidhur këtë detyrim që është akumuluar ndër vite dhe që sipas Vorpsit nuk është vetëm një detyrim i shtetit shqiptar, qeveria do të duhej t’i drejtohej Parlamentit shqiptar, për të gjetur mënyrën më të mirë. Ai i konsideron deklaratat për realizimin e kompensimit fizik që nga 2012, një shkatërrim të pritshmërive të ish-pronarëve.

Historiku i (mos)kompensimit fizik

Nënkryetari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” duke analizuar të gjithë situatën lidhur me realizimin e së drejtës së pronës dhe procesin e kompensimit fizik ndaj ish-pronarëve, shprehet se ky proces duhet të kishte përfunduar kohë më parë. Ndërsa qeveria nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka shtyrë afatet për këtë proces. “Ligji nr. 9235 për kthimin dhe kompensimin e pronës i vitit 2004 në nenin 28 të tij parashikonte detyrimin për krijimin e fondit të kompensimit fizik brenda datës 1 qershor 2006. Më vonë ky afat u shty me ligj deri më 31 dhjetor të vitit 2008. Gjithashtu në shtator të këtij viti me një tjetër ligj ky afat u shty deri më 31 dhjetor 2011”, -shprehet Vorspi. Sipas tij, kompensimi fizik për sipërfaqet bujqësore duhet të bëhej sipas vendimit të qeverisë, Nr. 868, datë 18.6.2008 “Për krijimin e fondit të kompensimit fizik nga fondi i tokës bujqësore”. Madje AKKP-ja duhet të jetë në dijeni se fondi për kompensimin fizik sipas këtij vendimi caktohet vetëm me Vendim të Këshillit të Ministrave. “Deri më sot ka vetëm një vendim të qeverisë për kompensimin fizik të ish-pronarëve që është i vitit 2009 dhe bën fjalë për një sipërfaqe toke 2,7 ha dhe një numër pasurie 257/2 diku afër Kasharit. Kjo është e vetmja VKM që ka nxjerrë qeveria dhe gjithë pjesa tjetër e deklaratave janë fjalë boshe. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave duhet të ketë dijeni për legjislacionin në fuqi”, - thekson Vorpsi. Gjithashtu sipas tij, një tjetër vendim i qeverisë nr .350 dhe datë 29 prill 2011 lidhur me planveprimin për zgjidhjen e problematikës së çështjeve të pronësisë, në pikën 13 të tij, thekson se “përcaktimi i fondit për kompensim fizik sistematik do të përfundojë brenda fundit të vitit 2018”. “Nga sa shikojmë deri tani ka vetëm fjalë dhe jo veprime të caktuara. I kujtoj qeverisë dhe AKKP-së që fondi disponibël shtet për kompensimin fizik në 2003, sipas informacionit zyrtar të Drejtorisë së Menaxhimit të Tokave pranë Ministrisë së Bujqësisë, ka qenë 135 727 ha tokë e pandarë. Ndërsa në vitin 2004 doli ligji për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, - nënvizon Vorpsi. Ndërkaq, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, sipas tij, pak kohë më parë pretenduan se nga 135 mijë toka bujqësore të pandara, 110 mijë ha do të shkojnë për projektet e ndryshme për zhvillimin e arrorëve apo sipërfaqeve të tjera drufrutore. Pra, duke i llogaritur, në dispozicion të ish-pronarëve mbeten vetëm 25 mijë ha tokë. Sipas Vorpsit, vetëm Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka mundësi të thotë me saktësi se sa është toka me emërtim “shtet”, pasi ajo disponon të dhëna për sipërfaqet e regjistruara. “Pyetja është e thjeshtë. Pse nuk u vu në dispozicion që në 2006-ën ky fond i pandarë për ish-pronarët? Deri më sot nuk ka as më shumë dhe as më pak se 2,7 ha sipërfaqe toke me vendim të qeverisë në dispozicion të kompensimit fizik të ish-pronarëve dhe në dijeninë tonë nuk ka asnjë fond tjetër toke për kompensimin fizik të pronarëve”, - thekson me keqardhje Vorpsi.

Fatura e kompensimit

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimin të Pronave sipas tij dhe shteti shqiptar i kanë të dhënat e sakta, por nuk i bëjnë publike. “Pra, AKKP-ja duhet të deklarojë se kush është detyrimi i shtetit për kompensimin fizik të ish-pronarëve, sa është sipërfaqja e tokës bujqësore për kompensim fizik sipas vendimeve të mëparshme të komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, – shprehet Vorpsi. Gjithashtu në planveprimin e qeverisë të miratuar në prill 2011 pretendohet se “skema definitive ligjore për kompensim do të fillojë të operojë në janar të vitit 2013. Deri në këtë moment besohet se shteti shqiptar do të ketë informacion për numrin e subjekteve që kërkojnë kompensim dhe një faturë totale financiare për këtë proces”. Megjithatë, sipas Vorpsit, i gjithë ky informacion dhe fatura që shteti i detyrohet ish-pronarëve njihet prej institucioneve. Të vetmit që humbasin dhe nuk vihen në dijeni janë opinioni publik dhe vetë ish-pronarët.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›