Shehi: Hapja e kutive, zgjidhja e vetme për krizën

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, bën të ditur se Prokuroria mund të hyjë në veprim, pasi parlamenti të hetojë zgjedhjet
TIRANË - Lëvizja për Zhvillim Kombëtar nuk ka marrë ende një përgjigje nga organi i akuzës mbi fatin e dokumentacionit të paraqitur prej saj për manipulimet në procesin e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Kryetari i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, në një prononcim për gazetën "Shekulli" bëri të ditur se çështja pasi iu paraqit Prokurorisë së Përgjithshme, kjo e fundit ia kaloi prokurorisë së Tiranës me justifikimin se materialet e abuzimit me procesin zgjedhor nuk mund të jenë objekt i saj i hetimit.
Megjithatë, ai ka theksuar se ende Prokuroria e Rrethit Tiranë nuk ka dhënë akoma një përgjigje për nisjen e hetimeve për zonat e kontestuara nga kjo parti. "Deri më tani kemi marrë një lloj përgjigje zyrtare, për të cilën kjo tematikë nga Prokuroria e Përgjithshme i ka kaluar prokurorisë së Tiranës. Që nga ajo kohë nuk ka ndonjë përgjigje tjetër.
Justifikimi i Prokurorisë së Përgjithshme ka qenë që kjo nuk është subjekt i saj. Kështu që jemi në pritje, shpresojmë në një përgjigje që të marrë në konsideratë ankimimet tona. Megjithatë, procesi zgjedhor është shkatërruar që në princip që me vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve", - tha Shehi.
Ai vuri në dukje gjithashtu se transparenca e plotë e procesit zgjedhor duhet të kryhet përmes një komisioni hetimor parlamentar, i cili, sipas tij, të hetojë të gjitha abuzimet që janë kryer ndaj zgjedhjeve të fundit parlamentare përmes hapjes së kutive të votimit. Pasi të jetë kryer ky proces hetimi, sipas Shehit, duhet të veprojë prokuroria, për të ndëshkuar abuzuesit e zgjedhjeve.
"Gjykoj që prokuroria duhet të hyjë në lojë, pasi të krijohet një komision hetimor parlamentar, i cili të hapë kutitë e votimit dhe dokumentacionin përkatës zgjedhor që të zbardhen të gjitha abuzimet që janë bërë. Ndryshe, e gjitha kjo do të mbetet në rrafshin e propagandës politike, çdo krah politik do të tërheqë nga ana e vet, dhe si rezultat pavarësisht se zgjedhjet janë manipuluar në një sasi të konsiderueshme do të cilësohen si të mirëqena", - u shpreh ai.
Duke iu referuar qëndrimit kategorik të mazhorancës qeverisëse për të mos hapur kutitë e votimit, Shehi nënvizoi se për sa kohë që nuk do të zbardhet krimi elektoral i 28 Qershorit përmes hapjes së kutive të votimit, transparenca e zgjedhjeve do të mbeten në kuadrin e supozimeve politike.
"Për sa kohë që nuk do të rihapen kutitë gjithnjë diskutimet për këtë temë do të mbeten brenda supozimeve politike dhe asnjëherë nuk do t'i ofrohemi së vërtetës konkrete. Zgjidhja e vetme dhe alternativa e vetme ka mbetur ngritja e komisionit parlamentar dhe e drejta e komisionit për të hetuar deri në fund duke hapur edhe kutitë e votimit në qarqet e kontestuara", - theksoi Shehi.