E Diel, 1 Nëntor 2026

Turi elektoral, Berisha në Librazhd: Në këtë qytet, gjatë 4 viteve të ardhshme do investojmë 10 herë më shumë

11-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha mori pjesë në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit në Librazhd, ku prezantoi z. Shefki Çota si kandidat i koalicionit “Aleancës për Qytetarin”, për kryetar të Bashkisë së këtij qyteti. Kryeministri Berisha vlerësoi kandidaturën e Shefki Çotës dhe siguroi se në katër vitet që vijnë me të, por edhe me qeveritarët e tjerë vendorë të komunave të Librazhdit, do ta punojnë për ta shndërruar Librazhdin në një nga rrethet e zhvilluara të Shqipërisë. “Ju garantoj se do të financojmë çdo projekt të këtij qyteti, çdo projekt të komunave të këtij rrethi, në mënyrë që së bashku t’i shndërrojmë në vlera për secilin prej jush pasuritë e mëdha të rrethit tuaj, rreth me pasuri të mëdha ujore, minerale, me potencial të vërtetë pemëtarie, rreth me njerëz të mrekullueshëm që frymëzojnë çdo njeri me shpirtin e tyre punëtor”- u shpreh kryeministri. Kryeministri vuri në dukje se në këto vite, në rrethin e Librazhdit janë investuar 10 herë më shumë se 8 vitet e qeverisjes socialiste shkuan dhe garantoi se në 4 vitet që vijnë qeveria do të investojë 10 herë më shume se 4 vitet që shkuan.


Berisha prezantoi z. Firdus Kurti si kandidat për kryetar të komunës Qendër Librazhd    


Kryeministri Berisha ishte dje pasdite në komunën Qendër Librazhd, ku prezantoi z. Firdus Kurti si kandidat të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar të kësaj komune. Kryeministri i uroi banorëve rrugën e re, 6.5 kilometra e gjatë dhe një investim me vlerë 70 milionë lekë. Duke u shprehur se zotimi i qeverisë është që fshatrat të urbanizohen njësoj si lagjet e qyteteve, Kryeministri Berisha tha se gjatë këtyre viteve në rrethin e Librazhdit është investuar 10 herë më shumë se në 8 vitet e qeverisjes së Partia Socialiste. Kryeministri i siguroi banorët e kësaj zone se qeveria do të subvencionojë çdo rrënjë pemë frutore që do të mbillet, duke synuar dhjetëfishimin e prodhimit të frutave në këtë vend. Kryeministri Berisha i ftoi banorët të votojnë zotin Firdus Kurti për kryetar të kësaj komune dhe i garantoi ata se së bashku do të përfundojnë çdo projekt që synon të ndryshojë për mirë jetën e tyre dhe të komuniteteve të tyre.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›