Turistët amerikanë mësyjnë në bregdetin e jugut
Dita e djeshme ka qenë një ditë e përjashtuar nga 300 ditët me diell në vit që numëron Saranda. Shiu i dobët dhe valëzimi i lehtë i detit nuk ka bërë të dështojë axhenda e ardhjes së turistëve të huaj. Madje, në Gjirin e Sarandës është ankoruar trageti më i madh i deritanishëm, në bordin e të cilit kanë qenë 600 turistë amerikanë. Ata janë transportuar drejt terminalit të portit të Sarandës me motovedeta, për shkak të parametrave të mëdha të kruazierës shumëkatëshe, që nuk kanë lejuar ankorimin e saj në kalatë. Prej terminalit 15 autobusë turistikë kanë bërë transportimin e turistëve amerikanë drejt pikave më të preferuara turistike të rajonit të Sarandës dhe Delvinës, nga veçohen qyteti antik i Butrintit, monumenti natyror i Syrit të Kaltër dhe Kalaja e Lëkurësit.
Me turistët e huaj të ditës së sotme, deri tani numri i tyre në 100 ditët e para të vitit 2010 dhe një muaj para nisjes së sezonit “Verë 2010” ka arritur në rreth 3 mijë veta.
#