E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nyja kosovare vetëm me ndihmën e Uashingtonit

Analistët

Konsiderata analistësh politikë

Pas konsensusit të fundit të arritur në Parlamentin serb për aktivitetin e ardhshëm të qeverisë së Serbisë sa i përket çështjes së Kosovës, disa analistë politikë konsiderojnë se Beogradi do të mund të arrijë që ta zgjidhë “nyjën” kosovare vetëm me ndihmën e Uashingtonit, pasi marrëdhëniet me këtë të fundit janë shumë të rëndësishme për Serbinë. Analisti politik Obrad Kesiç i institutit studimor “TMS Global Consultants” të Uashingtonit, konsideron se Serbia, deri tani, duket se është e sinqertë kur shprehet se nuk dëshiron konflikt me Amerikën. “Autoritetet serbe shpresojnë që, më në fund, të vendosin bashkëpunim me SHBA-në mbi bazën e miqësisë, kur është fjala për Kosovën”, thekson ky analist që, në përgjigje të pyetjes së gazetës serbe “Kurir” se çfarë mund të bëjë konkretisht Serbia që t’i rregullojë marrëdhëniet e saj me Uashingtonin, pasi theksoi se SHBA-ja vështirë se do të mund ta ndryshojë ndonjëherë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës, vuri në dukje se “një nga zgjidhjet mund të jetë ajo, të cilën e dëgjuam edhe gjatë debateve në Skupshtinën (Parlamentin) serbe, që Serbia, në rezolutën që ajo ka ndërmend të paraqesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, nuk duhet të vërë kushte për bisedimet me Prishtinën”.

Ish-ambasadori i Serbisë në SHBA, Ivan Vujaçiç, nga ana e tij, thekson se adresa e parë e Serbisë, sa i përket çështjes së Kosovës, duhet të jetë Brukseli. “Vendi ynë, duke u konsultuar me Brukselin, duhet të paraqesë një rezolutë me një përmbajtje të tillë, të cilën do të mund ta miratonte Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, por ky dokument, në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë agresiv. Vetëm kështu do të mund të krijoheshin kushtet për bisedime mes Beogradit dhe Prishtinës”, theksoi ky politolog serb, duke vazhduar më tej se, “në këtë mënyrë do të kënaqej edhe SHBA-ja, sepse ky i fundit bashkëpunon ngushtë me BE-në, kur është fjala për Kosovën. Kështu, Serbia do të mund të shmangte të gjitha pengesat që ka në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, tha ai.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›