E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turistët grekë "pushtojnë" kalanë e Gjirokastrës

Sipas statistikave të kësaj zyre, kalaja e Gjirokastrës është vizituar që nga janari e deri në këtë periudhë nga më shumë se 6 mijë turistë të huaj, pa llogaritur edhe vizitorët e shumtë vendas. 

GJIROKASTER-Grekët "pushtojnë" kështjellën e Gjirokastrës. Zyra e Administrimit të Vlerave Muzeale në këtë qytet ka regjistruar shifrën më të lartë të turistëve që kanë vizituar kalanë e lashtë në harkun kohor të 20 viteve, pjesa më e madhe e të cilëve janë grekë. Sipas statistikave të kësaj zyre, kalaja e Gjirokastrës është vizituar që nga janari e deri në këtë periudhë nga më shumë se 6 mijë turistë të huaj, pa llogaritur edhe vizitorët e shumtë vendas. Rajmond Kola, drejtor i Administrimit të Vlerave Muzeale në Gjirokastër, dje bëri me dije se shifra prej 6 mijë vizitorësh është më e larta që është shënuar ndonjëherë. Sipas Kolës, vitin e kaluar kjo shifër u regjistrua në harkun kohor të 12 muajve. Dyndja e turistëve të huaj në kalanë e qytetit është e lidhur me punën propagandistike të kësaj zyre për vlerat e Gjirokastrës, veçanërisht me fqinjët tanë grekët. "Pa mohuar vizitorët nga të gjitha shtetet e globit, turistët grekë janë më të shumtit që mbërrijnë në Gjirokastër", - sqaron Kola. Ai pohon se turistët grekë janë nga vendet fqinje me Gjirokastrën, siç është Janina dhe trevat e saj. "Nuk ka ditë të apo javë të këtij viti që në Gjirokastër të mos mbërrijnë si vizitorë fqinjët tanë. Pjesa dërmuese e turistëve grekë vijnë në Gjirokastër në orët e para të mëngjesit dhe largohen pasdite, për shkak të afërsisë së banesave të tyre. Por, ka edhe nga ata, ndonëse të paktë, që flenë një natë në Gjirokastër", - thonë përfaqësuesit e Zyrës së Administrimit të Vlerave Muzeale në Gjirokastër.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›