E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërpritet greva e policive të Kosovës

Qeveria vendos të rrisë pak rrogat e uniformave blu
Ministria e Punëve të Brendshme ka arritur t’i bindë qindra pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që të ndërpresin grevën rreth orës 03:00 të mëngjesit të ditës së djeshme. Takimi maratonë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, ministrit të Brendshëm dhe udhëheqësve të PK-së, që kishte filluar dje në orët e pasdites ka rezultuar me një rritje simbolike të pagave. Sipas një komunikate për media, të lëshuar nga policia pas mesnate, të gjithë zyrtarët policorë të Departamentit të Njësive të Specializuara, të cilët ishin tubuar në Qendrën e Trajnimit në Kishnicë, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me sistemin e ri të pagave, pas takimit me ministrin e Punëve të Brendshme dhe udhëheqësit e policisë janë kthyer në të gjitha rajonet dhe stacionet policore. Sipas një tabele, të prezantuar nga policia, zyrtarët policorë patrullues do të paguhen me nga 355 euro, plus ndërrimi i natës, që nuk është përmendur se sa do të jetë, ata në administratë, 320 euro, hetuesit 395 euro, të njësiteve speciale operative 395 euro, pjesëtarët e njësiteve të specializuara 415 euro dhe të njësiteve speciale intervenuese, 430 euro. Policia bëri të ditur se do të rishikohen dhe korrigjohen nga një grup punues të gjitha gabimet që janë shfaqur në sistemin aktual të pagave, gabime këto të bëra nga prokurimi, të cilët nuk i kanë shpërndarë në mënyrë të drejtë mjetet në llogaritë e policëve për muajin janar 2010. “Të gjithë zyrtarët policorë, pavarësisht gradës, do të marrin rritjen në pagë varësisht nga njësitë ku punojnë. Ne presim zbatimin praktik, në mënyrë që të kemi personel policor më të motivuar dhe kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në ngritjen e efikasitetit të policisë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga policia. Ndërkaq, Sindikata e Shërbyesve Civilë të Kosovës (SSHCK) përmes një komunikate për opinion, njofton se përfaqësuesit e saj kanë zhvilluar një takim me ministrin e Ministrisë së Administratës Publike të Republikës së Kosovës, z. Arsim Bajrami, me të cilin janë diskutuar kërkesat e vazhdueshme të saj mbi rregullimin e pozitës së shërbyesve civilë, në veçanti fati i Ligjit mbi Shërbimin Civil dhe Ligji mbi Pagat.
Sipas kumtesës, ministri Bajrami ka sqaruar se Ligji për Shërbimin Civil është në procedurë të miratimit dhe aktualisht gjendet te Komisioni për Shërbime Publike, i cili duhet të dalë me amendamente plotësuese dhe më pas të votohet në Kuvend.
Miratimi i këtij ligji pritet të bëhet në fillim të muajit prill. Po ashtu, sipas ministrit, pas kategorizimit të shërbyesve civilë, atyre do t’u rriten pagat në përputhje me ligjin dhe për këtë qëllim janë ndarë 7 milionë euro, thuhet ndër të tjera në komunikatën e nënshkruar nga kryetari i kësaj sindikate, Mursel Zymberi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›