Kodra e diellit pa ujë e pa drita
Komuna e Farkës ia kalon përgjegjësinë Bashkisë së Tiranës
Të blesh një shtëpi të shtrenjtë në kryeqytet, jo domosdoshmërisht i ke zgjidhur të gjitha hallet me kushtet e jetesës. Mungesa e dritave dhe e ujit mund ta shndërrojë një apartament mbi 100 mijë euro në një vend krejtësisht të padëshirueshëm jetese. Një fat i tillë duket se i ka rënë për pjesë edhe banorëve të njërës prej lagjeve rezidenciale më të reja të periferisë kryeqytetase, me emrin e bukur “Kodra e diellit”. Që prej disa vitesh, ata ankohen se kanë mungesa të vazhdueshme të furnizimit me ujë. Por gjatë këtyre ditëve, ata kanë probleme edhe me mungesat e energjisë elektrike.
Për ujin e pijshëm, banorët shprehen se e blejnë, por kjo nuk është problem për ta. Shqetësimi kryesor mbetet mungesa e ujit në çezma, duke i shndërruar zakonet e përditshme të një familjeje, thuajse në një mision të pamundur. Ata janë ankuar në të gjitha zyrat e shtetit shqiptar pa mundur që të gjejnë një zgjidhje për shqetësimin e tyre. I janë drejtuar Komunës së Farkës, në territorin e së cilës banojnë, por përgjigjja ka qenë e qartë. Kjo komunë e vogël nuk mund të zgjidhë një problem kaq të madh të infrastrukturës për të cilën ka nevojë zona. Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës, e cila edhe pak ditë më parë ka marrë një letër-ankesë të këtyre banorëve, heq nga vetja përgjegjësinë. Banorët e qendrës rezidenciale “Kodra e diellit” shprehen se përfaqësuesit e bashkisë ua kanë bërë të qartë situatën. Ata banojnë jashtë kompetencave të bashkisë më të madhe në vend. Po kështu, edhe Ndërmarrja e Ujësjellësit, duket se nuk u ka ardhur në ndihmë banorëve të kësaj zone. Kjo edhe për faktin se infrastruktura e kanalizimeve në këtë territor është “goditur” keqazi nga përfituesit e paligjshëm. çarjet e tubacioneve të rrjetit të ujit të pijshëm dhe shfrytëzimi i tyre nga shumë lavazhe dhe biznese të tjera, të cilat e shfrytëzojnë ujin në mënyrë ilegale, kanë lënë në të thatë banorët jo vetëm në këtë pjesë të kryeqytetit. Tirana numëron të paktën pesë zona problematike të furnizimit me ujë të pijshëm. Njëra prej tyre qëndron shumë pranë qendrës rezidenciale “Kodra e diellit”. Ajo është zona e Komunës së Parisit. Po kështu, edhe pallatet pranë liqenit artificial në pjesën fundore të rrugës “Sami Frashëri”. Furnizim tejet të kufizuar me ujë vetëm dy apo tre orë në ditë kanë edhe zonat e tjera periferike të Tiranës si Kamza. Një tjetër problem me të cilin duhet të përballet Ndërmarrja e Ujësjellësit është edhe presioni tepër i ulët i ujit në rrjet. Ndonëse nga depot e ujit sasia që del është e mjaftueshme për të furnizuar kryeqytetasit, sikundër pohojnë vetë përfaqësuesit e kësaj ndërmarrjeje, vjedhjet dhe çarjet që i janë bërë sistemit kanë shkaktuar degradimin e situatës, ku në një pjesë të konsiderueshme uji ka presion mjaft të ulët dhe apartamentet në katet e sipërme të pallateve mund ta përfitojnë këtë produkt vetëm duke përdorur pompat e ujit dhe rezervuarët.
Nga ana tjetër, drejtori i Ujësjellësit, Sahit Dollapi, ka deklaruar se rritja e çmimit të ujit do të bëhet për të përfituar në disa drejtime, si në rritjen e investimeve për rrjetin e shpërndarjes. Sipas tij, përmirësimi i infrastrukturës dhe rrjetit të shpërndarjes do të jenë primare për furnizimin e popullatës 24 orë me ujë. Por ky premtim i dëgjuar shumë shpesh edhe më parë, tashmë duket si një ëndërr veçanërisht për banorët e “Kodrës së diellit”.
#