E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzat e PS-së: Drejtuesit e policisë bëjnë pazare me kriminelët

Tiranë- Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri përmes një deklarate për shtyp në emër të forcës politikë ku bën pjesë ka akuzuar kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij si përgjegjësen kryesore për situatën e aksidenteve dhe krimit në vend.

U mbyll dhe një tjetër fundjavë me bilanc të denjë lufte, ndërkohë që sot filloi java po njëlloj; vrasje, plagosje, aksidente me pasojë vdekjen dhe plagosjen, vjedhje, grabitje, e plot të tjera. Vendi i është kthyer terrorit të kriminelëve ordinerë dhe bandave mafioze. Ca vjedhin e vrasin, të tjerë grabisin e vënë gjoba ndaj sipërmarrësve, ndërkohë që shteti është gjunjëzuar i tëri. Ata që e vuajnë janë qytetarët, që sot janë më të pasigurt, më të pambrojtur e më të kërcënuar nga hajdutët, kriminelët dhe bandat. Për masakrën e përditshme që po ndodh sot, për vjedhjet dhe grabitjet, për aksidentet rrugore, për plagosjet dhe vrasjet, ka vetëm një përgjegjës, dhe ky është Sali Berisha”,-tha Tahiri.

Zoti Tahiri lëshoi akuza të forta kur tha se në rradhët e policisë janë emëruar militanët partiak që skanë lidhje me profesionin dhe se po drejtohen nga persona që bëjnë pazare me vetë kriminelët.

“Përgjegjësi që fillon që nga emërimet në pozicionet kyç të shtetit të militantëve partiak por të paaftë për një punë, te mungesa e burimeve financiare dhe infrastrukturore, e deri te mungesa e vullnetit për të qeverisur e për të garantuar standard minimal sigurie dhe garancie për jetën e çdo qytetari shqiptar.

Qytetarët grabiten në mes të ditës, ndërkohë që Sali Berisha dërdëllit për imunitetin. Vriten në rrugë, në shtëpi, në plazh, në qytet e fshat, ditën e natën, ndërkohë që Sali Berisha grabit institucionet e pavarura, siç bëri më së fundi me KLD dhe SHISH me ndihmën e President Bujarit.

Rrugët lahen me gjak nga aksidentet skandaloze ku humbin jetën fëmijë, të rritur e të moshuar, ndërkohë që Sali Berisha mban rekorde noti. Shqipëria digjet, e Sali Berisha krihet, do thoshte populli”,-tha Tahiri.

Zoti Tahiri drejtoi një sërë pyetjesh dhe akuzash të tjera kundrejt kryeministrit Berisha dhe presidentit Nishani në lidhje me emërimet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Shërbimin Informativ Shtetëror duke theksuar se pa largimin e kësaj qeverie situata e sigurisë në vend do të vijojë të jetë alarmante.

“Cili nga kriminelët e rrugës, nga hajdutët ordinerë apo bandat e armatosura që terrorizojnë qytetarët ka imunitet? Kush po i mbron kriminelët që vrasin e pastaj lirohen për të vrarë përsëri? Po hajdutët e grabitësit kush po i lë të lirë?

Kush do e dënojë Ndrea Prendin dhe gardistët e tjerë, kur gjyqin ndaj tyre e kryeson po e njëjta gjyqtare që la të lirë vrasësin që i mori jetën një gruaje për varësen para pak ditësh. Si mund të dënojnë hajdutët e kriminelët gjyqtarët e korruptuar, kur Sali Berisha dhe President Bujari emëruan Cefën në krye në krye të KLD, qeverinë e gjyqësorit, njeriun që më së pari i duhet të mbylli çështjet e veta gjyqësore për grabitje pronash.

Kush do garantojë rendin dhe sigurinë kur Shërbimi Informativ Shtetëror nuk është më institucion i pavarur sepse u grabit nga Sali Berisha dhe iu rikthye një militanti qorr që për eksperiencë pune ka kohën e SHIK-ut të Gazidedes dhe marrëdhëniet me jashtë në PD.

Kush do garantojë rendin dhe sigurinë kur policia e shtetit, ekspertët dhe specialistët drejtohen nga militantë kaush, që nuk kanë as dijeni, as aftësi e as kompetencë për të luftuar krimin, apo më keq akoma, nga drejtues policie të aftë vetëm për korrupsion e pazare me vetë banditët, kriminelët dhe grabitësit. Askush.

Sepse kur i pari i qeverisë vret qytetarët e vet, siç ndodhi në 21 janar, e kërkush nuk mban përgjegjësi pas hekurave të burgut, kriminelët dhe bandat bëjnë terror me armë ndaj qytetarëve pa u hyrë gjemb në këmbë.  Kur pazaret e pista i bën vetë i pari i qeverisë, pazaret e më të vegjëlve as llogariten.

Ndaj pa u shkulur Sali Berisha, nuk mund të rikthehet drejtësia në vend. Nuk mund të garantohen institucionet e pavarura, Prokurori, Gjykata, Sherbimi Informativ Shtetëror në radhë të parë, nuk mund të ndëshkohen ata që fshihen pas imunitetit, e po kështu, edhe grabitësit, hajdutët, kriminelët dhe bandat që po bëjnë kërdinë dita ditës.

Pa u shkulur Sali Berisha dhe qeveria e tij, nuk mund të rikthehet qetësia dhe garancia për jetën e qytetarëve, sepse i pari që e kërcënon, është vetë Sali Berisha”,-tha Tahiri duke u zotuar se PS-ja me të ardhur në pushtet do të garantojmë jetën, pronën dhe dinjitetin e çdo qytetari.

“Siç do vëmë para hekurave të ligjit, cilindo bandit a kriminel, hajdut a grabitës, qoftë ky edhe nga këta pushtetarët e sotëm”,-tha ai.

Sakaq javët e fundit numri i aksidenteve në rrugët e vendit ka shënuar rritje me dhjetra të viktima dhe të plagosur që kanë përgjakur rrugët e vendit. Teksa situata krimi ka shënuar episodin e fundit në orët e para të kësaj jave kur një 18-vjeçare qëlloi për vdekje me automatik ish-bashkëjetuesin e saj 45-vjeçar në Krrabë të Tiranës.

D.Bilbili/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›