Turistët
Muzeu Historik Kombëtar duket se nuk do ta ketë as këtë sezon turistik Pavijonin e Gjenocidit. Ndonëse jo në mënyrë të plotë, ky pavijon ishte i vetmi që u jepte turistëve, veçanërisht atyre të huaj, pak informacion mbi diktaturën shqiptare apo më mirë të themi mbi krimet e saj. çdo material që përbënte ish-pavijonin e Gjenocidit, i ndërtuar në vitin 1996, u zhvendos në magazinën e institucionit në kuadrin e një projekti rikonceptimi, propozuar nga ish-drejtori Kasëm Biçoku. Në librin e përshtypjeve të muzeut apo në kontaktet e drejtpërdrejta me turistët që erdhën të vizitonin këtë institucion në muajt e fluksit turistik, shënohej apo shprehej qartë keqardhja për mungesën e këtij pavijoni. Në fillimet e punës së tij, drejtori i ri, Luan Malltezi, ishte shprehur se do të mundoheshin që gjithçka ta rregullonin për këtë sezon të ri. Por me sa duket nuk do të jetë kështu. Ndonëse specialistët e Muzeut Kombëtar e kanë hartuar tashmë një platformë-projekt mbi përmbajtjen që mund të ketë ky pavijon, dosja mbetet ende e mbyllur. Pritet ende miratimi dhe lëvrimi i fondeve të posaçme nga Ministria e Kulturës. Në fakt, kjo koklavitje vazhdon prej disa vitesh në këtë institucion. Ideja për një rikonceptim të domosdoshëm, depolitizim dhe pasurim të pavijoneve të deri më tanishme të muzeut të vetëm kombëtar, ka sjellë ndërmarrje veprimesh të mëvetësishme. Nga ana tjetër, ndërrimi i shpeshtë i drejtorëve ka bërë që të propozohen projekte të ndryshme, të nisë puna e pastaj të pezullohet sërish. Në ditët e para në krye të MHK-së, drejtori Luan Malltezi theksoi gjithashtu nevojën e rikonceptimit të muzeut, duke pranuar se për të vënë në zbatim këtë ide duhen ngritur grupe specialistësh profesionistë e mbi të gjitha duhen fonde të mëdha.
Pavijoni i GjenociditKati i Muzeut Historik Kombëtar ku më parë kanë qenë ekspozuar më së shumti materiale fotografike mbi gjenocidin, tashmë është bosh. Projekti i ri, i realizuar nga grupi i punës i përbërë nga: Enver Kushi si kryetar dhe Sotirulla Hoxha, Fredi Gusho, Sali Kadria, Ilir Gusho, Etleva Demollari, Fatmir Boshnjaku dhe Entela Kasemi si anëtarë, nën konsulencën e Agim Mustës si përfaqësues i Institutit të të Përndjekurve Politikë dhe Kastriot Dervishit, drejtor i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, ka vendosur që të shfrytëzojnë një hapësirë rreth 800 metra katrorë në katin e tretë të muzeut. Sipas një projekti të hartuar nga inxhinieri Latif Lazimi, në këtë pavijon, i cili është menduar të quhet Pavijoni i Gjenocidit dhe Terrorit Komunist në Shqipëri, hapësira ekspozuese do të përmbajë materiale fotografike, dokumente, objekte, por edhe materiale audio-vizive, një pjesë e të cilave të nxjerra për herë të parë nga arkivat. “është menduar të ndjekim një linjë historike-kronologjike që zë fill me fillimet e terrorit komunist në vitet 1943-‘44 e do të mbyllet me rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës. Do të përdorim një pjesë të materialeve të pavijonit të mëparshëm, por edhe shumë materiale të reja. Kanë kaluar 14 vjet nga ngritja e pavijonit të gjenocidit në vitin 1996 dhe që atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra, ka ndryshuar edhe koncepti për muzologjinë”, shprehet Enver Kushi, kryetar i grupit të punës të ngritur për hartimin e përmbajtjes së Pavijonit të ri të Gjenocidit. është vendosur që materialet të organizohen sipas një strukture me 27 nënndarje ku përfshihen proceset e para të mëdha gjyqësore, gjyqet ndaj kundërshtarëve të regjimit, shkatërrimi i institucioneve fetare, izolimi, burgjet dhe kampet me punë të detyruar etj., apo edhe ngjarje ende të pazgjidhura të asaj kohe si “incidenti” në ambasadën sovjetike. “Krahas fotove dhe dokumenteve të ish- pavijonit të ngritur në muze në vitin 1996, pavijoni i ri do të pasurohet me foto dhe dokumente të panjohura më parë. Pjesë e rëndësishme do të jenë objektet e shumta që janë në fondet e muzeut, por edhe ato që janë sjellë gjatë këtyre viteve nga familjarët e të përndjekurve. Ideja është që të kemi një linjë ekspozuese të papolitizuar që të trajtojë ngjarjet historike të viteve 1945-1990”, shprehet Sotirulla Hoxha, muzeologe dhe anëtare e grupit të punës. Materialet janë përgatitur për ekspozim, por specialistët shprehen se ndoshta gjatë procesit të punës, mund të ketë edhe ndryshime të vogla në linjën që do të ndiqet. Por përveç materialeve, fotografike, dokumenteve të ndryshëm dhe objekteve, Kushta dhe Hoxha, tregojnë se pjesë e këtij pavijoni të rikonceptuar do të jetë edhe një kënd që do të shërbejë si një minikinema. Në disa monitorë të vendosur brenda dhe jashtë pavijonit do të transmetohen dokumentarë, kronika dhe intervista të kohës që përmbajnë materiale për gjenocidin e terrorin komunist në Shqipëri. Për herë të parë do të dëgjohen edhe procese gjyqësore me zë. Një bibliotekë e vogël do të jetë me botime mbi materiale e kujtime që të burgosurit e diktaturës kanë shkruar gjatë kohës së qëndrimit në burgje. Gjithsesi, edhe ky pavijon nuk e përfaqëson diktaturën në të gjitha elementët e saj dhe nuk jep një informacion të plotë për çfarë ka qenë ajo periudhë. Specialistët pohojnë se ky pavijon, kur të ngrihet, do të jetë gjithashtu i përkohshëm. I takon objektivave të mëvonshme të MHK-së por edhe një momenti kur mendimet e historianëve të jenë konsoliduar për të paraqitur pa ndikime dhe politizime, periudhën gati gjysmëshekullore të diktaturës shqiptare.
#