E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, shqiptarët pranë largimit nga qeveria

BDI ndahet në dy kampe, nënkryetarja Arifi kërkon zgjedhje të reja

Në Maqedoni po rriten dallimet brenda partisë shqiptare në qeveri BDI-së, për rrugën që duhet të ndjekë ajo. Këto këndvështrime të ndryshme vijnë në kohën kur ka pasur tensione politike dhe kur janë rishfaqur sfidat e sigurisë. Dy figura të larta të BDI-së, kryetari Ali Ahmeti dhe nënkryetarja Teuta Arifi, prej disa kohësh po japin vizione të ndryshme për rrugën që duhet të ndjekë partia. Z. Ali Ahmeti e bëri të qartë qëndrimin e tij kur deklaroi gjashtë ditë më parë se nuk mendonte se do të ishte zgjidhja e problemeve braktisja e institucioneve: “Ne përpiqemi që të jemi kontribuues seriozë në zgjidhjen e problemeve”, tha Ali Ahmeti, i cili në disa deklarime përsëriti se është i bindur që do të gjejë mirëkuptim te partneri i tij i koalicionit VMRO DPMNE. Por dallimet shfaqen pikërisht këtu. Vetë partia e z. Ahmeti para një jave bojkotonte në mënyrë të heshtur Parlamentin, sepse nuk mund të merrej vesh me partinë e Kryeministrit Nikolla Gruevski. Ndërkohë BDI i ka premtuar elektoratit integrimet dhe muaji qershor është afati i vënë nga BE, deri kur Maqedonia duhet të zgjidhë dallimin për emrin me Greqinë dhe të ecë përpara. Por me t’u afruar ky afat, presioni është më i madh, pasi sinjalet nuk janë të qarta se zgjidhja do të jetë e mundur. Nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, në artikujt e saj të rregullt në të përditshmen “Dnevnik”, vazhdimisht është kritike ndaj Kryeministrit, politikave të tij, të cilat ajo i quan edhe “nacionaliste”, saqë në artikullin e fundit shkroi “se nuk do ta përkrahte as edhe një ditë këtë qeveri”. Diçka që kishte paralajmëruar kohë më parë edhe me këtë deklaratë: “Nëse BDI vazhdon me këtë politikë, shqiptarët nuk do ta duan më. Nëse do të duhet të bëjmë zgjedhjen ndërmjet një qeverie apo dëshirave dhe interesave të atyre që na kanë zgjedhur, unë jam për këtë të dytën”, tha Teuta Arifi, para disa javësh. Vizioni i ndryshëm i figurave të larta të BDI-së është evident, por sa reflektohet ai brenda partisë? Muhamet Zeqiri, kryeredaktor i televizionit “Alsat”, thotë: “Fatkeqësisht nuk shoh reflektim brenda partisë. Nënkryetarja pothuajse çdo javë del me qëndrime krejt ndryshe nga ato që përfaqëson partia e saj. Shumica e funksionarëve të kësaj partie dalin me qëndrime personale dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e partisë të tyre. Kjo në opinion le përshtypjen se diçka nuk është në rregull me këtë subjekt politik. Nëse vazhdojnë kështu, do të humbasin përkrahjen që kanë pasur në elektorat”, tha Muhamet Zeqiri. Gazetari Borjan Jovanovski megjithatë thotë se situata brenda BDI-së qartëson pamjen se brenda koalicionit qeveritar gjërat nuk shkojnë edhe aq mirë: “Që gjërat nuk janë rozë, është krejtësisht e qartë. Këtë nuk e fsheh as Ali Ahmeti dhe koalicioni është para sfidave serioze. Por ajo që ndodh brenda BDI-së mund të interpretohet si strategji e liderit Ahmeti, i cili nëpërmjet znj. Arifi prezanton çfarë realisht mendon, ndërkohë që vetë shfaq konstruktivitet. Nëse nuk është kështu, atëherë dallimet mund të shihen si një moment demokratizimi brenda partisë, por kjo pamje megjithatë tregon për problem brenda koalicionit”. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në disa deklarime në opinion tenton që të tregojë se koalicioni qeverisës, ndonëse nuk funksion gjithmonë në mënyrë të përkryer, siç thotë vetë, “ka kapacitete që t’i tejkalojë vështirësitë”. Ai vetë i ka bërë një letër me tre kërkesa Kryeministrit pas tensioneve politike të ditëve të fundit. Ato përmbajnë zgjidhjen e statusit të ish UçK-së, rastin e Sopotit, ku banorë të fshatit janë dënuar për vendosjen e një mine, ndërkohë që kanë dalë fakte që sugjerojnë se ata mund të mos jenë fajtorë. Dhe çështja tjetër, rastet e njohura si “të Hagës”, të cilat gjykatat vendore duan t'i procedojnë, edhe pse Gjykata e Hagës i ktheu për mungesë provash, raste që hetonin veprimet e ish UçK-së gjatë konfliktit të vitit 2001. Këto kërkesa konsiderohen “delikate” për VMRO DPMNE-në. Reagimet e para të saj nuk japin sinjale se do të mund të zgjidhen edhe përkundër bindjes që shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Për momentin fjala e tij ka më shumë peshë në parti, thonë vëzhguesit. Por nëse kërkesat e parashtruara nuk realizohen, kredibiliteti i tij mund të vihet në dyshim, dhe atëherë nënkryetarja Teuta Arifi mund të marrë më shumë përkrahje brenda partiake, çka mund të çojë në ndryshimin e kursit të BDI-së.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›