E Hënë, 2 Nëntor 2026

Turistja rrëzohet nga kulla dhe plagoset, operacion spektakolar shpëtimi në Mynih

Në Mynih, të dielën, zjarrfikësit shpëtuan një grua duke përdorur një barelë me litar, nga një lartësi prej rreth 60 metrash.

Sipas njoftimit të zjarrfikësve, gruaja 35-vjeçare ishte rrëzuar gjatë zbritjes nga platforma e vëzhgimit e kullës “Alter Peter” dhe kishte pësuar lëndime të rënda. Për shkak të ashpërsisë së lëndimeve të saj, gruaja duhej të shpëtohej në një pozicion horizontal, që do të thotë se ndihmësit e parë nuk ishin në gjendje ta transportonin atë përmes shkallëve të ngushta që të çonin në kullë.

Për këtë arsye, një ekip alpinistësh të zjarrfikësve vendosi një barelë të varur me litar nga platforma e kullës deri në tokë dhe e uli gruan me kujdes. Në momentin që mbërriti poshtë, ajo u dërgua me ambulancë në spital. Nuk është bërë e ditur se si saktësisht ndodhi rënia.

Operacioni tërhoqi shumë njerëz në sheshin “Petersplatz”, ndërsa pas shpëtimit të suksesshëm, zjarrfikësit u duartrokitën. “Alter Peter” është kulla e kishës më të vjetër të Mynihut dhe një nga pikat më të njohura të vëzhgimit të qytetit.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›