Turizmi, biznesmenët fierakë i kërkojnë Berishës leje për fshatra turistikë
Sipas kryetarit të Dhomës Tregtisë Fier, Shezai Cobaj, plazhet e qarkut të Fierit janë përfshirë në projektet e qeverisë Shqiptare për zhvillimin e turizmit, për shkak të bukurive natyrore dhe mungesës së ndërtimeve sporadike duke përbërë kështu një mundësi të mirë për zhvillimin ekonomik në qarkun e Fierit. Një nga projektet më të rëndësishme që do ta shndërrojë këtë zonë në perlë të turizmit shqiptar, është krijimi i fshatrave turistikë. Kjo ka qenë një nga pikat më të rëndësishme, që ne si biznes ia kemi rekomanduar qeverisë, gjatë konsultimeve me të për perspektivën e turizmit fierak. Bregdeti i Adriatikut duhet të mbushet me ndërtime masive, sipas një plan-studimi urban, ku sipërfaqet e ndërtimeve të mos jenë më pak se 10 ha. Projektet duhet të jenë bashkëkohore, ku të përfshihet gjithë infrastruktura moderne. Konkretisht do të vishen me asfalt segmentet rrugorë Dërmënas-Plazhi i Darëzezës dhe Seman-Plazh. Do të ketë furnizim me energji elektrike gjatë gjithë 24 orëve, do të përmirësohet furnizimi me ujë të pijshëm dhe të ndërtohen ndërtesa të vogla që të mund të ofrojnë shumë shërbime për pushuesit, ka vijuar Cobaj në një deklaratë për median. Për të arritur këtë qëllim do të angazhohen një sërë institucionesh që prekin këtë zonë. Kështu, komunat si Darëzeza dhe Semani do të mirëmbajnë plazhet nëpërmjet qytetarëve që trajtohen me përkrahje sociale, ndërsa Kompania Albpetrol që konsiderohet edhe si ndotësja kryesore e bregdetit do të eliminojë rrjedhjen e mbetjeve të hidrokarbureve në lumin Seman e në Detin Adriatik. Këta faktorë favorizues të përfshirë në strategjinë e zhvillimit të turizmit, natyrshëm që janë një garanci për interesat dhe investimet e biznesit në bregdet, tha ndër të tjera Cobaj. Sipas Cobajt, në total biznesi fierak zë vendin e dytë në shkallë vendi, me rreth 9,55 % të qarkullimit vjetor, ndërsa investimet në fushën e turizmit deri pak kohë më parë nuk kanë qenë në përpjesëtim të drejtë me resurset dhe vlerat që i ofron natyra e këtij vendi. Çobaj thekson se duhet punuar për ta kthyer turizmin fierak nga një turizëm ditor, në një turizëm bashkëkohor me të gjitha kushtet e hotelerisë. Momentalisht pushuesit që frekuentojnë plazhet e Semanit Darëzesës, Pish-Poros, Libofshës, në Fier apo vizitojnë Apolloninë, Bylisin dhe Ardenicën, akomodohen në hotelet e Vlorës e Tiranës për shkak të mungesës së një rrjeti hotelerie lokal, ka vijuar ai. Bregdeti i Fierit ka një shtrirje rreth 73 km. Përgjithësisht ai frekuentohet nga pushues të rretheve Berat, Kuçovë, Lushnje e Mallakastër. Natyra e ka pajisur atë me një peizazh të pasur ku ndërthuren, masivet e pishave dhe kurora e gjelbëruar me një varietet, drurësh e shkurre, fauna e pasur si dhe rëra e imët dhe kurative.