Turizmi evropian në vështirësi prej krizës, BE gati paketën ndihmëse
Kriza ekonomike që ka përfshirë ekonominë evropiane nuk ka lënë mënjanë as industrinë turistike të këtij kontinenti. Vende të njohura si stacione balneare për të gjithë botën si Spanja, Greqia, Portugalia, Franca dhe Italia, tani po përballen me efektin e rënies së turistëve dhe vizitorëve duke i sjellë një tronditje vërtet të madhe ekonomisë së këtyre vendeve në këtë sezon. Në shkallë evropiane, gjatë tremujorit të parë 2009 aktiviteti hotelier është ulur me të paktën 10 për qind, në Pragë me 18 për qind, Budapest 20 për qind dhe kjo rënie ka prekur gjithashtu dhe qytetin më të vizituar në botë, Parisin me 5 për qind, sipas shifrave të publikuara këtë javë në një konferencë evropiane mbi industrinë e turizmit. "Ne jemi në një periudhë të paekuilibruar ekonomike dhe na duhet të zhvillojmë strategji të reja'',- theksoi Konstantinos Cacis, i ngarkuar në Komitetin e rajoneve të Bashkimit Evropian. Kriza nuk ka kursyer asnjë shtet të Europës të njohur për turizmin e veçantë, psh., në Spanjë përqindja e prenotimit të hoteleve ka rënë me 15 për qind gjatë tremujorit të parë dhe 60.000 punonjës të lidhur me turizmin janë larguar që nga fillimi i vitit. Në Portugali pritet një ulje e aktivitetit nga 10 deri në 20 për qind në një vit, sipas shoqërisë evropiane të industrisë hoteliere “HOTREC”. Edhe pse numri i turistëve për të parë urën e njohur ''Charles'' të Pragës është i madh, sezoni turistik në Republikën Çeke si në mbarë Evropën duket i zymtë për shkak të krizës ekonomike dhe financiare. ''Për momentin, numri i udhëtimeve vazhdon të rritet, por turistët kanë një buxhet më të shtrënguar, ata kursejnë për strehimin dhe për restorantet'',- shpjegoi Christophe Demunter, një ekspert i Institutit Europian të Statistikave, “Eurostat”. Por ashtu si vendet e tjera, kryeqyteti çek po vuan nga një ulje e turizmit për çështje pune me më pak zhvendosje profesionale, më pak evenimente dhe më pak konferenca në një kontekst ekonomik të tendosur. Sipas ekspertëve të turizmit, “mbijetesa e industrisë turistike europiane, që mban në këmbë 1,6 milionë ndërmarrje dhe ka 9 milionë punonjës në nivel evropian, këtë vit është në një test serioz”.
15 Qershor 2009