E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjelja e taksës doganore, DPD-ja favorizon futjen e makinave të përdorura

Favorizimi i futjes së makinave të përdorura ka bllokuar të rejat. Gjatë muajve të fundit vërehet rënie e çmimeve me 20-40 për qind

Ervin KOÇI

Futja me shumicë e automjeteve nga vende të ndryshme të botës, të përdorura ose të reja, në territorin e vendit tonë nëpërmjet doganave, ka qenë një shpëtim për Administratën Doganore. Kjo e fundit ka arritur të grumbullojë të ardhura të mira pikërisht nga zëri “zhdoganim automjetesh” ku në katër muajt e parë të këtij viti niveli ka qenë më i lartë se një vit më parë. Në këtë mënyrë të ardhurat e doganave nga zëri “automjete” për periudhën janar-prill 2009, ka qenë 1.901 miliardë lekë, në një kohë që në të njëjtën periudhë të vitit 2008, ajo ishte vetëm 964 milionë lekë. Kjo sasi nga këto të ardhura kë përbërë rreth 3 për qind të të ardhurave doganore gjithsej si katërmujor. Në këtë mënyrë mund të thuhet fare mirë se “shpëtimi” i doganave shqiptare në grumbullimin e të ardhurave për katërmujorin e parë të vitit kanë qenë të ardhurat e grumbulluara nga zhdoganimi i automjeteve. Në një kohë kur në shumë vende të botës po falimentojnë firma të mëdha të prodhimit të automobilave, si dhe ka rënë ndjeshëm shitja e tyre, të ardhurat doganore në Shqipëri nga zhdoganimi i automjeteve ka pësuar rritje. Kjo i ka detyruar zyrtarët e doganave shqiptare që të favorizojnë futjen e automjete të përdorura nga jashtë, me gjithë taksat e larta që aplikohen për to. Nga ana tjetër kjo ka ndikuar në muajt e fundit edhe në rënien e çmimit të automjeteve në vend, ku nga dita në ditë çmimet e makinave të përdorura po bien ndjeshëm.

Tarifa doganore

Çmimet e makinave në Shqipëri përcaktohen para së gjithash nga kostoja e taksave që paguhen në doganë, të cilat përbëjnë mesatarisht 50-75 për qind të çmimit të makinës. Kështu, një makinë benzine me cilindratë 1.2, me moshë më të madhe se dhjetë vjet, ngarkohet me 130-150 mijë lekë doganë dhe çmimet e këtyre makinave deri disa muaj më parë fillonin nga 350 mijë lekë. Por shumë njerëz që kanë blerë më herët makina të tilla janë të gatshëm që sot t‘i shesin më lirë. Makinat e naftës me cilindrat 1.9 dhe me moshë mbi 10 vjet (ku hyn edhe popullori “Benz 190”), kanë taksa doganore prej rreth 320 mijë lekësh e për pasojë, çmimet e tyre fillonin me 500 mijë lekë, por tani mund të gjenden edhe me 400 mijë lekë. Qeveria i rriti ndjeshëm taksat për makinat e importit në mes të vitit 2007 për të kompensuar humbjet që krijoheshin nga përgjysmimi i tatim-fitimit për koorporatat. Në atë kohë u tha se rritja e taksave do të sillte 17 milionë euro shtesë për qeverinë, por përballë rënies së importeve, ky skenar duket se dështoi.

Makinat e përdorura

Çmimet e makinave të përdorura kanë rënë ndjeshëm gjatë muajve të fundit si pasojë e faktit, se shumë njerëz janë të gatshëm t‘i shesin ato, ndërsa tregtarët e importit e kanë të vështirë të mbijetojnë. Nën presionin e krizës, rrugët janë mbushur me makina që kanë dalë në shitje dhe për herë të parë, shumë njoftime mbajnë edhe çmimet e shitjes të reklamuara. Kështu, makinat popullore si “Volksvagen Golf III” me benzinë, kanë dalë në shitje për 300-400 mijë lekë, ndërsa pak muaj më parë ishte e pamundur të gjeje një makinë të tillë me çmim më të ulët se 420 mijë lekë. Në rënie janë edhe Benz-at 190-200, të cilat tashmë mund të gjenden në treg me 350-400 mijë lekë, ndërsa më parë ishte e vështirë të gjendeshin nën 550 mijë lekë.

Njoftimet për shitje

Numri i njoftimeve nëpër gazeta apo makinave që qarkullojnë me tabelën "shitet" është sot më i lartë se kurrë, sipas tregtarëve. Për më tepër, frika e krizës ekonomike ka bërë që shumë shqiptarë të shtyjnë për më vonë planet për blerjen e një makine, ndërsa shumë blerës ankohen për peshën e madhe që taksat doganore kanë mbi vlerën e makinës së paguar. Numri i makinave të importuara në Shqipëri ka ardhur në rënie të ndjeshme nga viti në vit si pasojë e rritjes së vazhdueshme të taksave. Në vitin 2007, në Shqipëri hynë 13 mijë autovetura, ndërsa në 2006 patën hyrë 30 mijë të tilla. "Është bërë pothuajse e pamundur që të shesësh një makinë të sapoimportuar, pasi blerësit e paktë parapëlqejnë makinën më të lirë të mundshme", - thotë një tregtar te stadiumi "Dinamo" në Tiranë.

15 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›