E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi grek gjithnje e me i braktisur

Sektori i turizmit grek gjendet në vështirësi të mëdha në këtë fillim sezoni veror. Prenotimet në muajin maj kanë rënë me një të tretën krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Si rrjedhojë çmimet kanë rënë me ofertat speciale ndërkohë që 100 mijë vende pune sezonale janë në rrezik në një situatë papunësie rekord në 21,7%. Turizmi në Greqi zë një peshë me 20% në PBB kështu që me krizën ky nivel rrezikon të dëmtojë ekonominë. Sipas të dhënave të publikuara nga shoqata e kompanive turistike greke këtë vit prenotimet kanë rënë  me 15% ndaj 2011-ës, ndërsa në maj rezulton se këto prenotime janë ulur me një të tretën  ndaj majit të vitit të kaluar.  Shkaqet e një krize turistike ndaj një vendi të preferuar më parë nga turistët lidhet me frikën nga ana e turistëve dhe agjencive të udhëtimit se grevat e trageteve, tensionet sociale dhe protestat nëpër sheshe të këtyre muajve të fundit dhe në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 17 qershorit por edhe pasiguria politike në Athinë mund të ndikojnë në shpërthimin e dhunës nga ana e anarshistëve dhe protestave me policinë në Greqi. Nga të dhënat e Shoqatës së kompanive turistike mësohet se rezulton në rënie prezenca në Greqi e turistëve gjermanë. Tensionet mes Gjermanisë dhe Greqisë  janë shtuar që kur revista Focus publikoi në kopertinën e saj një artikull që tregonte se “Grekët janë mashturuesit e Europës”. Gjithsesi në përpjekje për të zgjidhur tendencën rënëse të numrit të prenotimeve dhe turistëve  operatorët turistikë grek së fundmi kanë ulur ndjeshëm cmimet. Sipas shoqatës çmimet e hoteleve kanë rënë me gati 25% krahasuar me 2010-ën. Një sezon turistik i falimentuar do t’i shkaktonte ekonomisë në krizë një goditje të rëndë e cila e mbështet me një të pestën  aktivitetin e saj mbi turizmin. Shoqata e kompanive turistike greke shpreh shqetësimin se nëse rënie e prenotimeve do të vijojë me këto ritme, kjo verë do të ketë mbi 1 milionë e gjysëm turistë më pak duke rrezikuar humbjen e 100 mijë vendeve të punës. Një fakt ky që do të niste një spirale të rrezikshme pasi përveç humbjes së punësimit, sezoni turistik  në përgjithësi do të mblidhte më pak të ardhura  për buxhetin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›