E Diel, 1 Nëntor 2026

Turizmi i çorganizuar, asnjë paketë turistike për në Shqipëri



Edhe pse vendi ynë prej vitesh ndodhet në hartën e vendeve turistike të Ballkanit, duket se zhvillimi i tij është i paorganizuar. Ende në Shqipëri nuk ka një infrastrukturë të përshtatshme për t’u ofruar paketa turistike pushuesve të huaj dhe vendas. Të vetmet paketa turistike që ofrojnë agjencitë, në bazë të kërkesave, janë ato në formë turesh, për grupe të huajsh dhe vendasish.

Etleva Fetahu, koordinatore e udhëtimeve turistike në agjencinë “Globus Travel” shprehet: “Tek agjencitë kërkohet më tepër për prenotime të grupeve dhe jo paketa individuale. Këto paketa janë në formë turesh ose ekspeditash dhe fillojnë nga Tirana dhe vazhdojnë në disa qytete të Shqipërisë. Zakonisht paketat janë njëjavore dhe të them të vërtetën, muaji i kaluar ka pasur shumë lëvizje, pasi kanë ndikuar edhe ekskursionet”.

Sipas saj, për sa u përket paketave familjare, “ndodhemi në këtë situatë, pasi hotelet ndjekin një politikë të tillë që nuk i favorizojnë agjencitë, nuk u ofrojnë atyre çmime me të ulëta që të krijojnë paketa turistike”. Sipas agjencive turistike, turistët që vijnë nga shtetet perëndimore janë të interesuar për bregdetin tonë kryesisht për vendet shkëmbore si: Sarandë, Vlorë, Dhërmi e pjesë të tjera të rivierës shqiptare.

E megjithatë, vetëm 3 në dhjetë i tërheq bregdeti jonian, pasi pjesa tjetër është kryesisht e interesuar për ture kulturore, sipas agjencive turistike. Edhe këtë vit, Durrësi mbetet vendi më i preferuar për pushuesit nga vendet fqinje, kryesisht shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

“Ata preferojnë të vijnë në bazë të “të njohurve”, - na thonë në agjencitë turistike. “Nga agjencitë tona nuk ka asnjë prenotim prej këtyre pushuesve”, - sipas Blenar Gilës, administrator në agjencinë “Cosmos Tours”. Ai konstaton: “Shërbimit hotelier nuk u intereson që të bëjnë kontrata me agjencitë turistike, pasi kanë më tepër leverdi t’i bëjnë vetë prenotimet me anë të telefonit”.

E në këto rrethana, kur turistët në vendin tonë cekin shifrën e 2 milionëve në vit, turizmi mbetet ende i paorganizuar. Agjencitë turistike ankohen se askush nuk i përfill, pronarët e hoteleve thonë se mënyra “tradicionale” është më e lirë, ndërsa turistët vijojnë të vizitojnë Shqipërinë, me anë të “miqve” a “këshillave” që marrin nga persona që kaluan verën e kaluar në vendin tonë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›