Jepen sinjalet e para për mungesën e gjakut në spitale
Me nisjen e sezonit të verës jepen edhe sinjalet e para për mungesën e gjakut si dhe për uljen e numrit të dhuruesve. Rikthimi i këtij sezoni përsërit situatën e krizës për gjak në spitale. Në këtë periudhë, kur numri i dhurimeve ulet e nga ana tjetër rriten aksidentet, shëndetësia shqiptare përballet me të njëjtin problem.
Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë si dhe Bankës së gjakut po shfrytëzohet java e dhurimit të gjakut për të dhënë sinjalin e mungesës së gjakut në spitalet e vendit tonë. Ndaj për ta bërë akoma më alarmante këtë situatë si dhe për të bërë me dije se mungesa e gjakut në spitale është e theksuar, ishin vetë krerët e shëndetësisë që gjatë ditës së djeshme dhuruan gjak në shenjë simbolike. Ministrja Anila Godo ka deklaruar se, ardhja e verës vë gjithmonë në vështirësi, jo vetëm përballimin e situatave emergjente, por edhe furnizimin me gjak të të sëmurëve kronik. Ajo ka vijuar më tej duke i bërë apel të gjithë qytetarëve, por edhe vetë bluzave të bardha që të dhurojnë gjak për të shpëtuar jetët në nevojë.