E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri inauguron çeljen e Qendrës Kombëtare të Licencimit



Biznesit shqiptar i ofrohet një tjetër lehtësi për mbarëvajtjen e aktivitetit të tij. Tashmë një zyrë e posaçme, me vetëm një ndalesë, do të mundësojë dhënien e lejeve dhe licencave. Kryeministri i vendit, Sali Berisha, dhe drejtoresha e USAID-it në Shqipëri, zonja Roberta Mahoney, kanë zbuluar dje pllakatin ku shkruaj Qendra Kombëtare e Licencimit (QKL). Por lehtësitë për biznesin nuk kanë fund, dje Kryeministri Berisha ka premtuar se një tjetër sportel do të hapet për energjinë, duke krijuar kështu sa më shumë kushte për biznesin dhe duke eliminuar gjithnjë e më shumë korrupsionin. Së bashku me Kryeministrin, të pranishëm ishin ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zoti Genc Ruli, drejtoresha e USAID-it në Shqipëri, zonja Roberta Mahoney, përfaqësuesja e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, zonja Sophia H. Sahaf, përfaqësues të Bankës Botërore, FMN-së, si dhe përfaqësues të biznesit vendas. Qendra Kombëtare e Licencimit është hapur me mbështetjen e fazës së dytë të programit “Në Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit në Shqipëri”. Kjo marrëveshje dyvjeçare me vlerë 15.7 milionë dollarë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, e financuar nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MÇ) dhe administruar nga USAID, ka si synim të forcojë shtetin ligjor, të reduktojë korrupsionin dhe të rrisë mbikëqyrjen nga publiku, përmes zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit dhe ndihmës teknike, duke përmirësuar në këtë mënyrë klimën ndaj biznesit në Shqipëri. Duke vlerësuar këtë qendër, një hap domethënës në luftën kundër korrupsionit dhe një ndihmë të madhe për biznesin, drejtorja e USAID-it në Shqipëri, zonja Mahoney, u shpreh se qeveria shqiptare po përmbush më së miri premtimin e saj, për të goditur ndjeshëm korrupsionin. “Sot, me inaugurimin e kësaj Qendre Kombëtare të Licencimit, Shqipëria ndërmerr një hap të rëndësishëm përpara, drejt plotësimit të premtimit të saj, për të luftuar korrupsionin, në një mënyrë të prekshme”. Në përshëndetjen e rastit, Kryeministri Berisha u shpreh se “kjo do të do të mbetet një ndër ditët më të shënuara në përpjekjet e qeverisë shqiptare për të lehtësuar barrën burokratike dhe financiare mbi biznesin dhe për të luftuar me eficencë korrupsionin”. Kryeministri Berisha i vlerësoi projektet e realizuara deri tani, në kuadrin e pragut të mijëvjeçarit, si projekte shumë të rëndësishme, të cilat kanë transformuar tërësisht praktikat e mëparshme, kanë shkurtuar kohën, kanë thjeshtuar burokracitë e si rrjedhim kanë rritur transparencën. “Në kuadrin e Pragut të Mijëvjeçari, në Shqipëri kanë marrë jetë disa projekte që kanë transformuar tërësisht praktikat e mëparshme, siç janë taksa elektronike, regjistri elektronik i biznesit, prokurimi elektronik”. Duke shprehur mirënjohjen për ndihmën e madhe të dhënë nga USAID-i, qeveria e SHBA-ve, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, si dhe GTZ, në drejtim të legjislacionit, Kryeministri garantoi se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për suksesin e mëtejshëm të këtyre projekteve, si dhe të atyre që do të zbatohen në të ardhmen. Më pas, Kryeministri Berisha dhe Drejtoresha e Misionit të USAID-it, zonja Mahoney, zbuluan një pllakë dedikimi, në të cilën thuhej “Qendra Kombëtare e Licencimit u ngrit nga qeveria shqiptare me ndihmën e popullit amerikan për ta bërë procesin e licencimit të biznesit në Shqipëri, më të lehtë, më të shpejtë dhe transparent”.

Berisha: Do krijojmë edhe sportelin e energjisë Kryeministri Berisha ka vlerësuar hapjen e QKL-së, ndërsa ka premtuar se qeveria do të shqyrtojë edhe heqjen e disa licencave të tjera. “Sporteli unik më i shkëlqyer për licencat është heqja e tyre. Kam besim të madh se gjatë muajve që vijnë ju do i propozoni qeverisë sime, sipas vullnetit të shqiptarëve, heqjen e një serie licencash të tjera, duke e vlerësuar në këtë mënyrë, si punën më të mirë tuajën”, - theksoi Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë premtoi para biznesit se në një të ardhme të afërt do të hapë një sportel vetëm energjinë. “Ndërkohë një premtim tjetër i imi para biznesit është se ne do të krijojmë sportelin unik për energjinë, e cila është një fushë me një perspektivë të jashtëzakonshme në Shqipëri. Janë qindra e qindra hidrocentrale, parqe eolike dhe impiante nga burime të tjera energjetike që duhet të ndërtohen apo ka kërkesa për ndërtim. Ne do të nisim shpejt punën për ndërtimin e tij”, - premtoi Kryeministri Berisha. Ai nënvizoi se qeveria nuk do të lërë përpjekje pa bërë për të lehtësuar biznesin, të cilin ai e cilësoi si gjeneratorë kryesorë të punësimit dhe të begatimit të këtij vendi. “Por, - siç theksoi drejtoresha e USAID-it, - vlera më absolute e këtij projekti dhe projekteve që kemi bërë është lufta kundër korrupsionit, lufta kundër këtij kanceri, i cili ndonëse ka marrë përgjigje shumë të forta gjatë këtyre viteve, përgjigje të cilat kanë bërë që Shqipëria sipas renditjes së vendeve të parakalojë dhe të lërë pas 95 vende dhe nga faktorët më kryesorë kanë qenë këto projekte”. Sipas tij, lufta kudër korrupsionit ka bërë që ky vend të ketë të ardhura në tërësi, rreth 5.2 miliardë dollarë më shumë këto katër vite, sesa vitet që shkuan, luftë për të cilën qeveria “Berisha” u njoh si qeveri kampione nga “Transparency International” për reformat e ndërmarra. “Por dua të theksoj se ndofta nuk ka pasur fushë tjetër ku kemi pasur suksese më të mëdha se në këtë fushë, por nuk ka fushë tjetër, në të cilën ne kemi nevojë të kemi sukses shumë herë më të madh. Jam optimist se ky projekt është një përgjigje e merituar në një fushë ku korrupsioni ekziston, privatizimet kanë qenë një përgjigje e shkëlqyer dhe e merituar që i është dhënë korrupsionit në këto korporata. Prokurimet, kam kënaqësinë të pohoj që Shqipëria është i vetmi vend në botë me prokurime elektronike totale”, - theksoi Kryeministri Berisha. Ai nënvizoi se asnjë vend nuk ka prokurime elektronike njëqind për qind, siç e ka Shqipëria. Rezultati është që pjesëmarrja në tender ka arritur një mesatare 5 deri në 6 kompani nga 2 apo 3 që ka qenë mesatarja e formës manuale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›