Fushata “anti-insekte”, nis dezinfektimi i plazheve
Insektet “do ta kenë” pisk edhe këtë verë, në mënyrë që pushuesit të kalojnë pushime të kënaqshme në plazhet shqiptare. Për të shmangur sëmundjet infektive në popullatë, edhe këtë sezoni të ri turistik, Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë kanë filluar fushatën anti-insekte. Përmes këtyre masave kërkohet të ushtrohet kontroll higjieno-sanitar për gjendjen e mjedisit e veçanërisht tek vendet e grumbullimit të mbetjeve urbane si dhe ujërave të zeza nga gropat septike.
Masat
Në këtë verë, ministria do t’i kushtojë vëmendje të veçantë ujit të pijshëm, pasi vitin e kaluar është konstatuar se rrjeti i kanalizimeve në shumë zona ka qenë i amortizuar, duke bërë që specialistët e shëndetësisë të bëjnë ndërhyrje duke ndryshuar nivelin e klorit, sipas nivelit të konstatuar të ndotjes. Shërbimi shëndetësor do të jetë 24 orë në qendrat shëndetësore në të gjitha zonat turistike të vendit, ndërkohë që këto qendra dhe urgjencat mjekësore do të furnizohen me medikamente dhe materiale mjekimi të ndihmës së shpejtë.
Gjithashtu, do të shtohet dhe numri i kontrolleve higjieno-sanitare dhe epidemiologjike në zonat turistike. Këto kontrolle konsistojnë në monitorimin e ujit të pijshëm, dezinfektimin dhe marrjen e analizave për treguesit fiziko-kimikë e mikrobiologjikë, duke bërë matjen e klorit dy herë në ditë; kontrollet në hotele, restorante dhe pikat e tregtimit të produkteve ushqimore (për zbatimin e rregullave të përgjithshme të higjienës dhe veçanërisht në zbatimin e normave për ruajtjen dhe tregtimin e produkteve ushqimore); për dezinfektimin, dezinfektimin dhe deratizimin e mjediseve të brendshme dhe të jashtme të të gjitha territoreve të zonave turistike. Kontrollet do të jenë periodike.
Kontrollet
Ministria e Shëndetësisë sqaron se që nga Shkodra e deri në Sarandë kontrollet do të ushtrohen nga inspektorët sanitarë dhe do të jenë në gatishmëri për çdo gjë që mund të ndodhë si nga ana e higjienës ushqimore apo e anës së mjedisit. “Vëmendja më e madhe është në ato zona ku ka fluks të shumtë turistësh, në plazhet e Durrësit, Vlorës, Sarandës e Himarës. Inspektorët janë të angazhuar shumë në të gjitha zonat e Shqipërisë”, - shprehen specialistët e MSH-së.
Ndërsa sektori i Higjienës dhe Epidemiologjisë do të kontrollojë ujin e pijshëm, nivelin e klorit të tij, kontroll i cili bëhet dy herë në ditë. Gjithashtu, nën kontroll do të jenë edhe njësitë e tregtimit me pakicë, edhe vendet ambulante që tregtojnë produkte ushqimore. Gjithashtu, Inspektorati i Higjienës dhe Epidemiologjisë ka marrë masa në drejtim të deratizimit, dezinsektimit, dezinfektimit.
“Këto përfshijnë sektorin e Higjienës dhe atë të Epidemiologjisë për masat konkrete dhe specifike për sezonin që ka të bëjë me sigurinë diarreike me problemet që mund të kenë fëmijët e vegjël, sidomos gjatë sezonit kur temperaturat janë të larta, me asistencën mjekësore për zonat ku ka mbipopullim, me ardhjen e turistëve, siç është në përgjithësi pjesa kryesore, pjesa bregdetare”, - thuhet në urdhrin e ri të Ministrisë së Shëndetësisë.