“Turizmi, jashtë çdo parashikimi. Brenda 10 ditëve, 408 mijë qytetarë”
Kryeministri Berisha vizitoi dje kalanë e Himarës, një ndër kalatë më të vjetra në vend. Me një fond prej 1 milion eurosh të Komisionit Europian dhe qeverisë shqiptare, në kala po investohet për ndërtimin e sistemit të kanalizimeve, rregullimin e rrugicave të kalldrëmit dhe sistemin e ndriçimit. Pasi vizitoi kalanë, Kryeministri Berisha raportoi mbi ecurinë e sezonit turistik në vend. “Edhe një herë unë dëshiroj të përshëndes shumë përzemërsisht të gjithë qytetarët e bregut, të gjithë qytetarët shqiptarë për mikpritjen e madhe që kanë dëshmuar dhe dëshmojnë ndaj miliona qytetarëve që vijnë të kalojnë pushimet e tyre në Shqipëri. Në një kohë të shkurtër, turizmi është bërë ndër degët më kryesore të ekonomisë. Gjatë këtij viti, ju më keni dëgjuar disa herë të theksoj rritjen e eksporteve 70 apo 80 për qind, sipas muajit, por dua t’ju them se rritja e turizmit është jashtë të gjitha parashikimeve”, ka sqaruar Kryeministri Sali Berisha.
Sipas tij, kemi një rritje të konsiderueshme të turistëve që e kanë vizituar këtë vit vendin tonë. “Nga data 31 korrik deri më 8 gusht, në Shqipëri hynë 430 mijë vizitorë, ose rreth 35 për qind më shumë sesa në vitin 2004. Vetëm tunelin e rrugës Durrës-Morinë këto 9 ditë e kanë kaluar në të dyja drejtimet 15 mijë qytetarë më shumë se gjatë gjithë gushtit të kaluar. Statistikat që unë mora sot, deri në orën 17:00, dëshmojnë se nga 31 korriku e deri më sot kanë kaluar 408 mijë qytetarë, kundrejt 392 mijë që kanë kaluar vjet nga 31 korriku deri më 30 gusht”, theksoi kreu i qeverisë nga kalaja e Himarës. Pavarësisht zhvillimit që ka pësuar turizmi, problemet që kanë fshatrat turistikë janë vendosur në dukje edhe nga kreu i qeverisë, i cili ka pranuar se mungesa e ujit, skamja e problemet janë shqetësime evidente edhe në 2010-n. “Unë dua të theksoj se duke pohuar këtë realitet që ne kemi ndryshuar, jam i vetëdijshëm për shumë probleme dhe vështirësi me të cilat përballen shqiptarët dhe që janë nga më të ndryshmet. Pak ditë më parë unë isha në Pilur dhe nënat e motrat aty e mbajnë ujin me bucela dhe nuk janë vetëm ato të Pilurit. Janë me qindra fshatra sot, në Shqipëri, ku nënat e motrat tona mbajnë ujë me krahë. Të tjerë përballen me papunësi, të tjerë me skamjen”, deklaroi Kryeministri. Berisha ka theksuar se zgjodhi që konferencën e shtypit ta mbante në kalanë e Himarës jo në mënyrë të rastësishme. “Kjo është një nga kështjellat më të vjetra të vendit, me fillime në shekullin IV para krishterimit, e cila ka shërbyer në shekuj e mijëvjeçarë si një mburojë e pamposhtur e kombit shqiptar”, tha Berisha.
#