E Diel, 1 Nëntor 2026

Turizmi malor, alpet rajonale në "shënjestër" të shoqërisë GTZ

TIRANE- Pjesa e alpeve në skajin verior të Shqipërisë, e cila shtrihet edhe në territoret e Malit të Zi dhe të Kosovës, është në fokusin e një projekti turistik rajonal nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Teknik, GTZ. Në zonën malore të Thethit, rreth 65 km larg qytetit të Shkodrës, gjatë vitit të kaluar ishin rreth 10 mijë vizitorë, në masën 90 për qind të huaj, të cilët shfrytëzuan kullat-shtëpi të 22 familjeve, me rreth 200 shtretër. Pjesa e alpeve vijon dhe në territorin e Malit të Zi dhe të Kosovës, ndaj GTZ-ja kërkon, që dinamikën turistike ta shikojë jo në tri pjesë të veçanta, si deri më sot, por ta vijojë në një optikë rajonale. Zëvendësdrejtori për Shqipërinë i GTZ-së, Ismail Beka, tha për radion "Deutsche Welle" se deri tani GTZ-ja bashkëpunontë me të tri vendet: me Shqipërinë, Malin e Zi e Kosovën. "Pra, rreth alpeve ne vinim me tre projekte të veçanta. Prej këtej lindi ideja, që ky të bëhej një projekt rajonal, një projekt rajonal model, sepse në fokus ka krijimin e një shtegu, që të jetë i përbashkët. Nëse një turist kalon dy a tre ditë në një zonë të Shqipërisë atëherë kjo do të thotë, që të kalosh një tur 8 deri në 10 ditë në rajon. Ajo që synon ky projekt është që në rradhë të parë të krijojë një standart minimal të lidhur me gjithë këto rajone, me këto fshatra, siç është zona e Thethit, Valbonës, të Kelmendit, të Plavës, Rragamit, pra në të gjitha anët të ketë një minimum standarti për shërbimet, ofertën turistike, si dhe nga ana tjetër të ketë një nivel sigurie".
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›