Turizmi në ekonominë shqiptare, as 1% e mesatares botërore
Industria e turizmit nuk përbën ende një sektor me potenciale të konsiderueshme dhe ndikim në rritjen ekonomike të vendit. Ndërsa mesatarja botërore e ndikimit direkt të sektorit të turizmit në ekonomi është 15 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto, industria e turizmit në Shqipëri nuk ndikon direkt as 1 % në PBB. Organizata ndërkombëtare e turizmit “World Travel & Tourism Council”, në raportin e publikuar për vitin 2011, pas matjes së ndikimit në disa fusha, aspekte të ekonomisë, ku ka marrë në studim 182 shtete të botës e rendit Shqipërinë në vendin e 89 në masë absolute, në vendin e 22 në masë relative, duke iu referuar kontributit në ekonominë kombëtare dhe në vendin e 57 për rritjen e parashikuar. Studimi në fjalë e rendit vendin tonë për ndikimin absolut direkt të sektorit të turizmit në PBB në vendin e 100. Sipas raportit, ndikimi i turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto në Shqipëri është vetëm 0,94%. Në këtë renditje, sipas raportit të organizatës botërore të turizmit, Shqipëria ka përpara Italinë me 64,29% të ndikimit të turizmit në PBB, Turqinë me 29,17, Greqinë me 15,68 %, Republikën Çeke me 4,80%, Bullgarinë me 2,03% dhe Qipron me 1,37%. Ndërsa lë mbrapa në këtë renditje Malin e Zi, me 0,4 % dhe Bosnje Hercegovinën me 0,38% ndikim të turizmit në PBB e vendit. Raporti gjithashtu ka bërë një renditje tjetër, përsa i përket kontributit total të turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit. Në këtë renditje, Shqipëria zë vendin e 89, me 3,26 % të ndikimit total të turizmit në PBB, ndërsa mesatarja botërore është 47,43 %. Në vendin e 8 qëndron Italia me 170,49% dhe pas Shqipërisë, në vendin e 118 renditet Bosnja Hercegovina, me 1,37 % dhe Mali i Zi me 0,85 % të kontributit total të turizmit në PBB. Duke iu referuar raportit të “World Travel & Tourism Council” për vitin 2011, Shqipëria për sa i përket ndikimit të industrisë së turizmit në punësim, zë vendin e 95 me 66,7 të punësuar, nga 795,6 të punësuar që është mesatarja botërore. Sipas renditjes së raportit, Italia pozicionohet në vendin e 8, me 853,4 të punësuar në 2011 në sektorin e turizmit dhe në vendin e 148 Mali i Zi me 11,6 të punësuar. Përsa i përket fushës së investimeve, ndikimi i turizmit në Shqipëri është fare i papërfillshëm, sipas raportit të publikuar nga organizata botërore e turizmit “World Travel & Tourism Council”. Ajo e rendit vendin tonë në lidhje me ndikimin e turizmit në investime në vendin e 108, me 0,22 % nga 3,6 që është mesatarja botërore. Ndërkaq, raporti rendit në vend të tetë Italinë, me 15, 75 % dhe Bosnje Hercegovinën me 0,14 % në vendin e 124. Sipas të dhënave të raportit në fjalë, turizmi në Shqipëri do të ketë një ndikim direkt real mesatar në rritjen ekonomike prej 5,5%, ndërsa për sa i përket ndikimit total në PBB, sipas raportit të “World Travel & Tourism Council” do të jetë 5,4%. Duke iu referuar raportit, turizmi në Shqipëri për vitin 2011 do të krijojë 67000 vende pune, duke ndikuar në mënyrë direkte me 2,8 % në fushën e punësimit. Për sa i përket ndikimi total të turizmit në punësim, sipas raportit do të ndikojë me 2,7 %. Ndërsa ndikimi në investime, përsa i përket mesatares reale të rritjes ekonomike të Shqipërisë për vitin 2011 do të jetë 5,7%. Megjithatë, raporti i publikuar nga “World Travel & Tourism Council” bën parashikime pozitive për industrinë shqiptare të turizmit. Sipas raportit, kjo industri pritet që për 2011 të rrisë me 23,3 % numrin e vendeve të punës dhe në 2021, me 26,9 të totalit të punësimit.