Pollo firmos me PNUD-in projekt tjetër për Shqipërinë dixhitale
Një tjetër projekt në shërbim të dixhitalizimit është nënshkruar dje nga qeveria. Ministri për inovacionin dhe TIK, Genc Pollo, dhe koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Zineb Touimi-Benjelloun, nënshkruan dje një projekt të ri i cili do të mbështesë përparimin e projektit Shqipëria Dixhitale, në veçanti projektin për Rrjetin Kombëtar Brezgjerë, projektin GIS (Sistemet informatike Gjeografike) si dhe për reformën administrative. Qeveria shqiptare e ka kthyer zhvillimin e Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit (TIK) në një nga prioritetet e saj madhore dhe ka prezantuar projektin Shqipëria Dixhitale si një iniciativë që do të përshpejtojë depërtimin e TIK-ut dhe përdorimin e tij në proceset e qeverisjes në Shqipëri. Arritja e objektivave të "Shqipërisë Dixhitale" do të kërkojë reforma të tjera institucionale, investime të mëtejshme në infrastrukturë, përmirësim të legjislacionit, ngritjen e kapaciteteve, si dhe zbatim efektiv të këtyre politikave. Aksesi i gjerë në TIK, nga bizneset dhe qytetarët, duke përfshirë edhe zonat rurale, do të japë një kontribut strategjik për projektin. Projekti i nënshkruar dje, ndër të tjera, do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për institucionin e ministrit për inovacionin dhe TIK, për të menaxhuar më mirë axhendën kombëtare të shoqërisë së informacionit. Kjo do të përfshijë asistencë teknike për të krijuar një kuadër të plotë ligjor, për forcimin e partneritetit publik dhe privat në këtë drejtim, si dhe aplikimin në Shqipëri të standardeve më të avancuara në fushën e TIK.