E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapen “Sportelet e Migracionit”, marrëveshje me Italinë e Greqinë

Barka: Jemi në pritje të firmosjes së marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e migracionit me shtetin italian dhe së shpejti fillojmë negociatat për punësimin sezonal me shtetin grek

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe i Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, përuroi dje "Sportelet e Migracionit". Këto zyra do të funksionojnë në cilësinë e institucionit që do të merret me dhënien e informacionit për migracionin. Bëhet me dije se “Sportelet e Migracionit” janë njësi të cilat nuk do t’u shërbejnë vetëm shtetasve shqiptarë të interesuar për çështje të emigracionit, por këto sportele do t’u shërbejnë edhe shtetasve të huaj të lidhur me imigracionin. Gjithashtu, në “Sportelet e Migracionit” do të merret informacion për procedurat e rregullta të emigrimit në shtete të ndryshme, nevojat e tregut të punës dhe profesionet konkrete për të cilat kanë nevojë shtete të ndryshme, informacion për shtetasit e huaj për procedurën e imigrimit në vendin tonë, lejet e punës dhe informacione të tjera. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe i Shanseve të Barabarta, Kosta Barka tha se “Sportelet e Migracionit do të ndihmojnë shtetasit që të mos bien pre e abuzimeve për shkak të mosinformimit”. Bëhet me dije se politika informuese për çështjet e lidhura me migracionin do të shtrihet edhe në drejtim të mbrojtjes të të drejtave të shtetasve shqiptarë që dëshirojnë të emigrojnë, që kanë emigruar ose janë kthyer nga emigracioni. Për këtë është hartuar Strategjia e Informimit dhe Komunikimit dhe plani i saj i veprimit. Kjo strategji do të miratohet së shpejti dhe ka si synim që të informojë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit për të drejtat dhe detyrimet e shtetasve tanë emigrantë, sipas legjislacionit të vendit tonë dhe atij të vendeve pritëse. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe i Shanseve të Barabarta, Kosta Barka tha se “ndërkohë, jemi në pritje të firmosjes së marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e migracionit me shtetin italian dhe së shpejti do të fillojmë negociatat për rishikimin e marrëveshjes për punësimin sezonal me shtetin grek. Sot do të firmoset dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit me Shërbimin Kombëtar të Punës (SHKP) që do të krijojë bazën për ngritjen dhe funksionimin e këtyre sporteleve. Gjithashtu, do të prezantohen dhe paketat informuese për migracionin e rregullt për 36 vende, përfshirë dhe Shqipërinë”. Bëhet me dije se ky projekt është financuar nga programi AENEAS 2006 i Bashkimit Evropian dhe nga qeveritë e Gjermanisë dhe të Zvicrës dhe është një projekt rajonal ku janë përfshirë shtete si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi dhe Republika e Serbisë, duke përfshirë dhe Republikën e Kosovës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›