Turku me shtetsi greke kapet me 1.7 milionë euro drogë, shoqërohej nga një shqiptare

Një shtetas grek me origjinë turke me 23 kilogramë heroinë është lokalizuar dhe arrestuar në Krystallopigi të Follorinës.
Ai konsiderohet si pjesëtar i guerrilasve kurdë të PKK-së, i cili u nis për në Greqi pas problemeve të rënda ligjore në vendin e tij.
Kundërshtari i qeverisë turke, mësohet se synonte të fitonte 1.725.000 euro nga shitja e drogave të forta në Selanik dhe Athinë.
Nga shkresat e zbardhura nga protothema.gr rezulton se ndaj 42-vjeçarit me origjinë turke ishte në pritje një urdhër-arresti nga vendi i tij pasi përballej me akuzën e pjesëmarrjes në një organizatë të paligjshme terroriste.
Në dosjen e çështjes thuhet gjithashtu se ai ka marrë pjesë në një ” një rrjet të mirëorganizuar të trafikut të drogave të forta dhe heroinës, i përbërë nga shtetas turq dhe shqiptarë” .
Turku së bashku me një pasagjere 32-vjeçare, me origjinë shqiptare drejtonte një makinë me të cilën transportonte sasi të mëdha droge, nga Selaniku në Athinë.
Në momentin e lokalizimit të makinës nga policia, u krye një hetim i detajuar i cili rezultoi se shqiptarja e arrestuar posedonte dy pako me kokainë me peshë dy kilogramë e njëqind gramë.
Në bagazhin e makinës u gjetën dhe u konfiskuan dy çanta shpine të zeza. Në njërën u gjetën 11.335 gramë heroinë dhe në tjetrën 11.668 gramë heroinë.
Policia gjithashtu konfiskoi celularë të vjedhur iPhone dhe 400 euro.
Avokatja e qytetarit turk, tha se klienti i saj nuk është përgjegjës për sasinë e madhe të drogës që u gjet në makinën që drejtonte, por gruaja që e shoqëronte.
“Klienti im, i persekutuar nga regjimi i Erdoganit, u nis në Greqi për të gjetur strehim. Fatkeqësisht, marrëdhënia e gabuar me një grua, padyshim e përfshirë në drogë, çoi në arrestimin e tij. Pozicioni i mbrojtjes është i vështirë dhe një rrugë e gjatë fillon për të bindur gjyqtarët se ai vetë ishte i pafajshëm”, tha Anasoglou.