E Diel, 1 Nëntor 2026

Turneu me gafe i Romneyt

I hidhur ishte vlerësimi i medieve amerikane për udhëtimin jashtë vendit të kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë, Mitt Romney, nga "pa ndikimin domethënës në Shtetet e Bashkuara", e deri tek "më mirë të ishte përqendruar tek fushata në shtetet e lëkundur".

Udhëtimi i tij 8 ditor në Britaninë e Madhe, Izrael dhe Poloni kishte si qëllim të lustronte imazhin e tij, por në të vërtetë mediat ju referuan vetëm gafave.

Në Britaninë e Madhe ai u kritikua nga media britanike, kur vuri në pikëpyetje gatishmërinë e vendit për të pritur Lojërat Olimpike 2012.

Në ndalesën e dytë, shpalli Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, çka revoltoi shumë palestinezë, por mbi të gjitha binte ndesh me qëndrimin e Washingtonit, për të cilin përcaktimi i tij varet nga negociatat mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Por çfarë e kulmoi turneun e tij ndërkombëtar ishte sjellja e papërshtatshme e zëdhënësit të tij në Poloni.

Rik Gorka humbi toruan përballë gazetarëve amerikanë, që kërkuan të pyesnin kandidatin republikan gjatë vizitës së tij në memorialin e Ushtarit të Panjohur në Varshavë, duke mos i lejuar ta pyesin për gafat gjatë udhëtimit jashtë Shteteve të Bashkuara. Ai shpejt kërkoi ndjesë.

Gjatë udhëtimit në Poloni, Mitt Romney synoi të tërheqë polako-amerikanët dhe votuesit e krishterë në Shtetet e Bashkuara, e gjithashtu të nënvizojë qëndrimin e tij të prerë ndaj Rusisë, të cilën e cilësoi si armikun numër një të Amerikës në gjeopolitikë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›