Turp për ne!
Kurrë nuk më kanë pëlqyer mënyrat se si i kremtojnë publikisht kosovarët festat kombëtare, shtetërore e fetare. Muzikë deri në kupë të qiellit nga altoparlantët e dyqaneve të CD-ve, fëmijë që "traumatizojnë" kalimtarët me zhurmën dhe tymin e petardëve aq shumë të popullarizuara të pasluftës, koncerte playback këngëtarësh të njohur e amatorë, parakalim veturash, turma njerëzish që shëtisin andej e këndej pa ndonjë cak. Më vjen rëndë ta pranoj, por këtë të diel, i kam dëshiruar me gjithë zemër të gjitha këto. Si asnjëherë më parë, dje kam dëshiruar që sheshi "Nëna Terezë" të vlonte nga qytetarët që mbajnë në duar flamuj kombëtarë, të Kosovës apo të NATO-s, burra që mbajnë në kokë plisa e që hedhin valle popullore me curle e tupana. Pritjet kanë qenë të kota. Për shqiptarët e Kosovës, e diela ishte vetëm një ditë e bukur prilli me diell, që duhej shfrytëzuar për të pastruar shtëpinë, oborrin ose për të shijuar natyrën. Prishtinasit, të dielën, janë "rrezitur" në parkun e Gërmisë apo liqenet e Batllavës e Badocit, pa e çarë kokën se një pjesë e kombit shënonte një datë të madhe historike.
Ka tri ditë që gazetat mbajnë në ballina Samitin e NATO-s të mbajtur në Strasburg dhe lajmin për pranimin zyrtar të Shqipërisë në Aleancën Veriatlantike, por për kosovarët kjo nuk do të thotë asgjë. Në prill 1999, NATO intensifikonte sulmet mbi caqet ushtarake e policore serbe, për të penguar gjenocidin mbi popullin shqiptar të Kosovës. Atëbotë mes shqiptarëve ekzistonin thirrjet: NATO në Kosovë! NATO në Shqipëri! Dhjetë vjet pas dëbimit të forcave ushtarake serbe nga Kosova, NATO vazhdon të jetë në Kosovë, ndërsa Shqipëria më 4 prill 2009 u bë zyrtarisht anëtare e NATO-s me të drejta të barabarta. "Shqipëria është e gatshme që menjëherë të dërgojë trupat e saj paqeruajtëse në kuadër të KFOR-it, në Kosovë", tha kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, disa orë pas anëtarësimit. Por, për kosovarët as kjo nuk do të thotë kurrgjë. Këtë shpërfillje ndaj një ngjarjeje kaq të madhe për kombin shqiptar ua betonuan edhe më shumë institucionet kosovare, që nuk morën mundin të organizojnë as ndonjë manifestim modest. Për kryeministrin e Kosovës, mjafton që i ka uruar, nëpërmjet telegrameve e telefonatave, krerët e Shqipërisë për këtë fitore të madhe.
Koha e shkurtër për organizim nuk mund të jetë arsyetim. Ka gati një vit që është ditur se më 4 prill Shqipëria zyrtarisht do të anëtarësohet në NATO. Mungesa e buxhetit, po ashtu, s‘mund të jetë arsyetim. Nëse qeveria ka konsideruar se kremtimi i shqiptarëve të Kosovës për futjen në NATO të shtetit "fqinj" do të mund të merrej si provokim për pakicën serbe në Kosovë, e cila ende i shënon si ditë zie ditët e bombardimeve nga NATO, as kjo nuk ka kuptim. NATO është në Kosovë dhe ushtarët e saj çdo ditë kujdesen për sigurinë e të gjithëve popujve në Kosovë, e të serbëve në veçanti. Duke u kujdesur tej mase për ndjenjat e pakicës serbe, qeveria, me vetëdije, po topit ndjenjat tona më të larta kombëtare. Me shpërfilljen që i bëmë gëzimit të bashkëkombësve tanë, ne shqiptarët e Kosovës, nuk kemi më përse të krenohemi se jemi më patriotë se shqiptarët e Shqipërisë.
Ende na janë të freskëta kujtimet për festimet në ditën e shpalljes dhe në një-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kur shqiptarët e Shqipërisë, le që festuan në mënyrë madhështore nëpër rrugët e qyteteve shqiptare, por nuk përtuan as të kalojnë kufirin të festojnë së bashku me ne në Kosovë. Ishin pamje të mrekullueshme, që na bënë të ndjehemi krenarë që jemi shqiptarë, që na shtuan optimizmin se më në fund po vijnë ditë të mira për një komb të shtypur me shekuj. Futja e Shqipërisë në NATO do të jetë një mbështetje e fortë për Kosovën dhe Forcën e saj të Sigurisë, që synon të ndërtohet në bazë të standardeve të ushtrive të Aleancës. Do të jetë një votë më shumë pro anëtarësimit të kurdoshëm të Kosovës në NATO. Deri dje, i vlerësuar si një ndër vendet më të prapambetura në Evropë, me përkushtimin e udhëheqësve politikë e ushtarakë të saj, Shqipëria ia doli ta realizojë një ëndërr që e ëndërrojnë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Përfshirë edhe ata që i provuan bombat e NATO-s. Tash e tutje, shqiptarët do të jenë përkrah kombeve më të lira dhe më të mëdha në sigurimin e paqes, kudo që ka nevojë në botë. E ne, shqiptarët e Kosovës, dështuam të shprehim hapur gëzimin për këtë kapitull të ri për Shqipërinë e shqiptarët.
Turp për ne…!