Turpi 24-orësh që shoqëroi kthimin e presidentit/Topi kthehet nga Italia me “gomone”
Presidenti edhe për disa ditë në detyrë, e ka mbyllur mandatin e vet me një precedent që tregon se ç’kryetar shteti kanë patur shqiptarët. Pasi kishte shkuar deri në Itali për të sajdisur gazetaren e rebelimit Zenepe Luka, ai ka ndërmarrë aventurën e udhëtimit nëpër det, kundër çdo lloj protokolli shtetëror. Rezultati ka qenë avaria, për shkak të përdorimit të një karburanti jocilësor dhe sikleti i shteteve të Italisë dhe Shqipërisë, të cilat kuptonin se në detin mes tyre ishte bllokuar një politikan që s’e kishte ndjerë asnjëherë veten kryetar shteti
Presidentit në detyrë i mbaron mandati pas një jave. Një fund mandati në rënie të lirë, më keq akoma në fundosje të plotë... “Fundosje” për disa arsye, njëra më bindëse se tjetra dhe kështu me radhë faktet që e cilësojnë këtë 5 vjeçar si më të papërshtatshmin në historinë e pluralizmit shqiptar, janë të shumëllojshëm dhe kokëfortë. Papërshtatshmëria e Topit lidhet me vetë rrethanat e tij absurde dhe integrimin e plotë në një rreth vicioz i kontrollueshëm kryekëput politikisht nga kreu i opozitës. Krahas sundimit politik që dominon mbi titullarin Topi, të papërshtatshme janë edhe aspektet mbi të cilat ai ka orientuar Presidencën këto 5 vite. Dhe këtu, spikasin vizitat e shpeshta me dhe pa axhendë (90% e të cilave pa protokoll, që do të thotë se s’janë vizita zyrtare, në kontestin fjala bie të ftesës nga ana e homologut të tij italian), drejt shtetit fqinj, Itali. Në tërësi, janë udhëtime-vizita drejt lokaliteteve modeste të Italisë, në nivelin më të ulët drejtues vendor, të cilët padyshim që krenohen me praninë e një kryetari shteti në aktivitetet dhe ceremonitë respektive të tyre. Vizita e fundit e cila edhe e futi në histori Bamir Topi, për shkak të udhëtimit rekord prej 20 orësh në ujërat e Adriatikut, në fakt ishte një vizitë-qokë që kreu i shtetit në largim i bëri gazetares së rebelimit komunist të ’97-s, Zenepe Luka e cila promovoi librin “Dashuria Shqiptare e Albanos”, kushtuar këngëtarit italian, Albano Carrisi. Pra, e thënë më thjeshtë, standardi i Presidencës së Topit është në nivelin e aktiviteteve dhe ceremonive të komunave me nga 2-3 mijë banorë të rajoneve si ai i Pulias apo Brindizit.
U deshën 20 orë udhëtime në det të hapur, që Presidenti të mbërrinte në vendin ku ushtron detyrën (edhe për një javë), një odise e tmerrshme në mes të detit për hir të një qoke minimaniste, por e denjë për nivelin e një Presidence mediokre. Në vijim të papërshtatshmërisë së Presidentit Topi, e cila mbyllet në mënyrën më të keqe të mundshme, kreu i shtetit ishte jashtë funksioneve të tij kushtetuese, atje në mes të Adriatikut, në pritje të rikuperimit të avarisë së naftës në tragetin e linjës Bari-Durrës. Jo siç i ka hije një Presidenti, me vizita të planifikuara nga administrata, me protokoll dhe axhendë të lartë shtetërore, Bamir Topi demonstroi nivelin më të ulët të profilit të tij si kryetar shteti.
U pa filli i kësaj presidence që në ditët, muajt dhe vitin e parë të saj, kur Topi në kohë rekord dekoroi prokurorë dhe gjyqtarë (kujto rastin e Skënder Bencës), ish- shërbëtorë të diktaturës, për “merita të veçanta” në pjesëmarrjen e tyre në gjyqe të montuara politikisht nën regjimin hoxhist. Takimet me Edi Ramën në Pezë të Tiranës, të cilat për ironi të fatit zhvilloheshin në prani të shumë syresh, diktonin neutralitetin e rolit të Presidencës. Emërimi i gjyqtarëve në shkallë të ndryshme të gjyqësorit në rrugë jo ligjore dhe shpesh herë të frymëzuara nga nepotizmi, politika apo edhe dashamirësia mes tij dhe Kreshnik Spahiut. Propozimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetues dhe Gjykatës së Lartë në shkelje me Kushtetutën, duke shpërfillur parlamentin. Kthimi i ligjeve të rëndësishme, si ai për “lustracionin” me argumente absurde dhe banale, ishin shërbimet që Presidenca po i bënte njërit krah politik; të gjitha këto në shkelje të Kushtetutës.
Doli në dritë të diellit qëndrimi stoik dhe paanshmëria e presidentit në largim gjatë zhvillimeve të muajve Janar-Maj 2011-të. Vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit të kaluar, Topi demonstroi 2 akte të turpshme për një president të zgjedhur në rrugë demokratike nga sovrani (parlamenti). Së pari, aktet e dhunës së 21 janarit, sulmi ndaj institucioneve Kushtetuese, kishte një prapavijë të fortifikuar politike dhe kreu i shtetit në vend që të merrte frenat e kontrollit të situatës dhe të vendoste balancat, ashtu siç edhe ia dikton ligji themeltar, bëri të kundërtën, e cilësoi sulmin ndaj selisë së Këshillit të Ministrave si “ngjarje bulevardi”. Kjo, me qëllim nxitjen e të tjera akteve banditeske të një tufe halabakësh të predispozuar për rrëzimin e rendit demokratik. Së dyti, më 8 maj 2011. Kreu i shtetit i bëri transparencën votës së tij, e cila ishte e vlefshme dhe “pro” Edi Ramës.
S’do mend të kuptohet se Topi po e mbyll mandatin ashtu sikurse e nisi, d.m.th me turp.
As trimëria në det të hapur (pasi i ra në sy një gomone aty pranë, të cilën e refuzoi), duke mos u larguar nga trageti me “mjetet e emergjencës”, s’ia zhvesh atij petkun e një titullari shteti të papërshtatshëm dhe të kapur në flagrancë me shkeljen e Kushtetutës.
“Një “gomone” për Bamir Topin – 20 orë në det të hapur”.
...