E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: I hapur të takohemi me PS për reformën zgjedhore

Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet e hapur për t'u takuar jo vetëm me Partinë Socialiste, por me të gjitha forcat politike për reformën zgjedhore. 

Qëndrimin e LSI-së e bëri të ditur dje lideri i kësaj partie, Ilir Meta gjatë një konference për shtyp. I pyetur nëse do të pranonte të takohej me kreun e PS-së, Edi Rama para negociatave për reformën zgjedhore, kreu i LSI-së u përgjigj: "Si një forcë politike serioze, Lëvizja Socialiste për Integrim është për dialog me të gjitha partitë, në radhë të parë parlamentare, por edhe ato jashtë Parlamentit, për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe të zhvillimit të vendit". Sipas tij, kërkesa që ka bërë kryetari i grupit parlamentar të LSI-së për takim kryetares së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, është shprehje e vullnetit shumë të mirë dhe konstruktiv që ka pasur dhe ka gjithmonë Lëvizja Socialiste për Integrim, në radhë të parë për të kontribuar që vendi ynë të ketë zgjedhje të ndershme, të lira dhe me integritet në vitin 2009. Më tej, kreu i LSI-së, theksoi se, "që opozita shqiptare dhe asnjë segment i saj të mos bëhet strehë dhe njëkohësisht, të mos i shërbejë, qoftë edhe pa dashje, Sali Berishës për të manipuluar dhe për të prishur zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009. Në këtë drejtim, ne kemi qenë dhe jemi të hapur për t'u takuar për këtë çështje, jo vetëm me Partinë Socialiste, të çfarëdo niveli, por me çdo forcë tjetër politike parlamentare dhe joparlamentare". Lidhur me takimin e kërkuar mes kreut të grupit të LSI-së dhe PS-së për të diskutuar për reformën zgjedhore, nuk ka të bëjë me rishikim të qëndrimit të LSI-së. "Dua t'ju bëj me dije se kjo kërkesë e natyrshme për takim nuk ka të bëjë me rishikimin e qëndrimeve shumë të drejta dhe koherente politike të Lëvizjes Socialiste për Integrim në mbrojtje të Kushtetutës demokratike dhe evropiane të miratuar nga populli shqiptar në vitin 1998 dhe të dhunuar padrejtësisht dhe pabesisht nga 115 deputetë në 21 prill të këtij viti", theksoi Meta. Sipas tij, "nuk ka të bëjë as me shumë çështje të tjera, kur ne kemi shprehur me të drejtë shqetësimin tonë për cenimin e pavarësisë së gjyqësorit, për cenimin e autoritetit të Presidentit të Republikës, të cilat, të gjithë së bashku, kanë kontribuar në fuqizimin e pushteteve të Sali Berishës, i cili në rast se e gjithë opozita do të kishte qenë e qartë, në bllok dhe në një linjë me qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, sot do të ishte përpara drejtësisë dhe jo të qesëndiste deputetët e opozitës dje në Parlament dhe të tallej me tre milionë shqiptarë".       a.sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›