Sterkaj: Nano i ka dyert të hapura te grupi i Qendrës
BLEDAR HOTI
Grupi parlamentar i "Qendrës" nuk e sheh veten, as pro dhe as kundër qeverisë "Berisha". Kryetari i këtij grupi parlamentar, Paulin Sterkaj në një intervistë për "Panorama" deklaron se "do të votohet pro çdo projektligj, që i shërben zhvillimit ekonomik dhe integrimit të vendit në NATO dhe në BE. Ndërsa, mohon zërat se grupi është krijuar nga Nano, duke shtuar se ish-kryesocialisti i ka dyert e hapura.
Cilat janë arsyet e krijimit të grupit parlamentar të "Qendrës" dhe çfarë raporti do të mbani me qeverinë gjatë kësaj periudhe parlamentare që ka mbetur?
Në deklaratën publike për median, që bëmë në seancën e Parlamentit, që grupi u krijua si rezultat i një situate të krijuar se janë disa deputetë të pavarur dhe pa mbështetje politike dhe mundësia për të pasur përfaqësimin e vet gjithsecili deputet ka qenë shumë i vogël. Krijimi i grupit parlamentar na jep mundësinë që ne të organizohemi, përfaqësohemi dhe të japim një kontribut sa të madh në jetën parlamentare. Grupi parlamentar i Qendrës do të unifikojë çdo veprim tonin në raste të veçanta, por edhe individi do të ketë rolin e vet. Ne do të respektojmë edhe mendimin ndryshe në grupin parlamentar, madje do ta vlerësojmë. Ndërsa në raport, e kemi thënë hapur se nëse ka projektligje kryesore për integrimin në NATO dhe në BE, për zbutjen e varfërisë për çështjen rajonale ne jemi të hapur. Ne jemi të hapur edhe për opozitën, nëse ka iniciativa që i shërbejnë këtyre opsioneve që përmenda më sipër ne do i mbështesim.
A do të pranonit ju që të ishin pjesë e qeverisë nëse do t'ju bënin oferta nga Kryeministri për ndonjë nga anëtarët e grupit të "Qendrës"?
Grupi ynë nuk ka asnjë qëllim që të përfaqësohet në qeveri me ministra, zv.ministra apo me përfaqësim në nivelet e tjera në rang drejtorësh. Ky nuk është qëllim në vetvete, por për të bërë një jetë parlamentare më aktive, si dhe të respektojë iniciativat ligjore si të qeverisë dhe të opozitës, të cilat i shërbejnë zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së vendit tonë. Ne do të themi çdo herë realitetin pa i dhënë ngjyrime partiake, pasi ne nuk e gëzojmë këtë suport apo ndikim partiak, siç e kanë grupet e tjera parlamentare.
A mund të ketë zgjerim të këtij grupi parlamentar në ditët në vijim. Keni ju kontakte me deputetë të tjera që janë të pavarur akoma?
Aktualisht nuk kemi ndonjë kontakt tjetër dhe pse nuk kemi ndonjë kërkesë deri më tani, pasi e kemi krijuar grupin tonë parlamentar. Por më vonë mund të zgjerohet dhe pse s'kemi ndonjë synim për ta zgjeruar më tej. Ne do të jemi të hapur me gjithsecilin që ta mendojë se mund të bashkohet me lëvizjen tonë.
Ju jeni një grup deputetësh, që dikur keni qenë mbështetës të ish-kreut të PS-së, Fatos Nano. A ka pasur ndonjë ndikim ish-kryesocialisti në krijimin e këtij grupi?
Unë dhe gjithë deputetët e tjerë nuk kanë asnjë ndikim në krijimin e grupit. Zoti Nano është për mua një pasuri kombëtare në politikën shqiptare, kur ai sot ka marrë pozicionin e tij dhe nuk mund të marrim asnjë lloj iniciative që ta afrojmë te grupi jonë. Por meqenëse jemi krijuar si grup parlamentar dhe jemi njohur si mbështetës të zotit Nano, kështu që afrimi i tij me ne nuk do të ishte keq, por kjo nuk është në dorën tonë. Pra Nano nuk ka asnjë ndikim të tijin në formimin e grupit parlamentar.
Pra ju s'keni marrë asnjë kontakt me të përpara krijimit të grupit dhe nuk keni marrë ndonjë këshillë paraprake nga ai për këtë vendimin tuajin?
S'kemi marrë kontakte dhe konsultime me zotin Nano. Përbërja e grupit parlamentar është mikse, ka deputetë që vijnë nga e majta, qendra dhe e djathta, kështu që s'ka lidhje fare me zotin Nano.