E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turpi që nuk e njeh më turpin!

Sa here degjoj qe kryeministri Berisha del te na perfaqesoje neper takime te rendesishme me kaplon nje shqetesim
sa i çuditshëm aq e i pakontrollueshëm, i cili, në mënyrë të pavetëdijshme më shtyn të them vetvete: O Zot, të lutem, mos lejo që përfaqësuesi ynë të shfaqet para të mëdhenjve të botës si një hyzmetçi i vdirë ballkanik; mos lejo që të “zgjedhurit” tanë të lartë të shfaqen aq puthadorisht para të huajve sa të na turpërojnë edhe ne që nuk jemi të tillë, sepse tekefundit kjo na bën të ngjajmë si popull primitiv e i pazhvilluar meqë...meqë kemi zgjedhur e vazhdojmë të mbajmë mbi krye të tillë udhëheqës kaq servilosur! Mos lejo, o Zot, që punët tona kombëtare të përkeqen përditë aq rëndshëm, sa të na vijë turp të themi që jemi shqiptarë...! Mos, o Zot, rrëfe që ne shqiptarët e këtij shekulli të paraqitemi si një popull pa dinjitet, i poshtëruar, i shfytyruar, i dalëboje, meqë kemi vënë në krye të sofrës, “me votë të lirë”, ca hairsëzë e ca dinsëzë që dëshmojnë se nuk kanë asnjë pikë dinjiteti vetjak, pale më kombëtar! Na ndihmo, o Zot, (pasi me sa shihet ne qytetarët këtë s’e ndreqkemi dot me votë!) të mos biem aq poshtë, sa të duket sikur, për shkak të keqqeverisjes, për shkak të mjerim-degradimit institucional, të mungesës së demokracisë funksionale, të një udhëheqësie “karizmatike” që mbjell vetëm konflikte, të mungesës së drejtësisë e të shtetit ligjor, të fukarallëk-maskarallëkut të tejzgjatur (tranzicionit), si dhe të mungesës së vizave...ne të dukemi si qytetarët më të leqendisur të Ballkanit, më të shtypurit, më kokëulurit, më të pakulturuarit, më të pagdhëndurit, e rrjedhimisht edhe më pa tradita demokratike!

Edhe pse jam i bindur që ne nuk e meritojmë këtë fatkob dhe lutjet e mia nuk do të shkojnë në vesh të Perëndisë, prapëseprapë përgjërohem, herë me shkrime e ca më shumë vetmevete: Mos e lejo, o Zot, që kancelaritë e Evropës dhe të SHBA-ve të besojnë se kanë të drejtë kur dyshojnë për aftësinë tonë vetëqeverisëse përderisa veprojnë në mënyrë diferenciale me ne, shqiptarët; mos lejo pra që të na gjykojnë ndryshe nga ballkanikët, duke besuar se e meritojmë një izolim të ri, të paktën derisa të plotësojmë mbi katër mijë e ca pyetjet e tyre! Mos na ndëshko, o Zot, duke na lënë për një kohë të pacaktuar të monitoruar, të skualifikuar, të përjashtuar, të lënë jashtë dyerve të BE-së, pa viza, pa standarde, pa ligje, më të nëpërkëmburit, më të padenjët në demokraci, për shkak se pranojmë përulësisht të mbajmë mbi kurriz të tillë drejtues që politikën e quajnë sukses kur e realizojnë me sherre, me shpifje, me manipulime, me dhunë e mosmarrëveshje, teksa jashtë vendit sillen si lepepeqër të pështirë! Por, me sa duket, edhe Zoti, me të drejtë, është bërë shurdh ndaj nesh!
E meqë krerët tanë sistematikisht vazhdojnë të shfaqen si bajraktarë, si kordhëtarë, si feudalë kokorroçë, aq të plotfuqishëm sa nuk ngurrojnë të na thonë se së gjalli ata po i ndjek pas historia, u dashka që ne të paguajmë taksën e poshtërimit kombëtar edhe kur qeveritarët pranojnë buzagaz që ne si popull cilësohemi nga kryeministri italian si një popull që prodhon dhe eksporton prostituta, e thënë shkoqur: vetëm kurva, të cilat duhet të jenë më të lira se ne për të shkuar, edhe pa viza, drejt Italisë...”Shakaja” e Berluskonit në konferencën për shtyp me kryeministrin tonë në Romë nuk ishte tallje e poshtërim i natyrshëm për hirin e sharmin e tri gazetareve, as për vetë kryeministrin tonë, i cili vazhdonte të buzëqeshte me mirënjohje edhe kur Berluskoni i tha që ky e paskësh mësuar italishten nga televizori, meqë nuk dallonte dot gjininë femërore nga ajo mashkullore në fjalën “moratorium”...Vetëm se kavaljeri ama na qetësoi kur shtoi se, megjithatë Berisha ynë ishte një mashkull i vërtetë!...Thëniet e Berluskonit, edhe pse kanë habitur mbarë botën, edhe pse ato përfshijnë të gjithë shqiptarët, prapëseprapë dëshmojnë se ne qënkërkemi një popull që nuk bëzajmë e nuk pipëtijmë as kur biem në krizë, as kur na hedhin në erë, as kur na përmbytin, as kur na vjedhin kufirin detar, as kur na heqin bustet e heronjve të luftës, as kur na shpërdorojnë fondet publike e madje as kur na poshtërojnë publikisht deri në këtë farë feje! Kjo tregon se sa nacionalistë apo sa patriotë jemi aktualisht!...O sa mir’ me ken’ shqiptar!

Nuk ka dyshim që thëniet e Berluskonit në prani të Berishës, për të lejuar vetëm gomonet që sjellin vajza të bukura në Itali (dmth prostituta), ishin një metaforë cinike e poshtërobhëse për të gjithë shqiptarët; edhe pse ato fjalë dëshmuan më shumë një qëndrim se një përfytyrim të gabuar, sjellja e “habitshme” e Berluskonit ishte një deklarim politik të cilin nuk do të guxonin ta bënin as Musolini kur pushtoi Shqipërinë, as Jakomoni e as perandori Viktor Emmanueli, kur disa shqiptarë, të veshur me kostume kombëtare, i çuan në pjatë kurorën e Skënderbeut! Për të provuar se “shakaja” nuk ishte rastësi, mund të kujtojmë se Berluskoni ka pas thënë të njëjtën gjë edhe mbi urën e Matit, në prani të një kryeministri tjetër, gjë që do të thotë se “batutat” e tij për shqiptarët nuk duhet të konsiderohen si lapsus; më pak akoma, si një shtysë a prirje seksuale e një beqari plak të tejngopur me pushtet e me para...Por ndoshta nuk është faji i Berluskonit që nuk e di se kur Italia pushtoi Shqipërinë, këtu u hapën për herë të parë disa bordello, të cilat ishin të rrëmbushura, sipas statistikave zyrtare, vetëm me femra italiane të “eksportuara” jo me gomone, por me anije, natyrisht edhe pa viza...Por kjo ë vërtetë asnjëherë nuk na ka dhënë të drejtë që ne shqiptarët të themi se ishte Italia ajo mbolli në Shqipëri prostitucionin e se ka pas qenë dhe është po Italia ajo që po “investon” e po kërkon pikërisht këtë “mall” nga Shqipëria e varfër...E nëse vërtet në Itali ka vajza shqiptare që detyrohen prej hallit apo edhe prej qejfit, të prostituojnë rrugëve të Italisë, ne asnjëherë nuk pyesim: si quhen në italisht ata meshkuj italianë që shkojnë me prostitutat, që blejnë e shfrytëzojnë skllavet e seksit?...Ne pra nuk na shkon ndërmend, meqë kryeministri i sotëm italian ka pasur disa skandale seksi, të hamendësojmë se të tillë janë edhe italianët...E pra, për këtë arsye edhe italianët, edhe evropianët nuk duhet të na identifikojnë ne me Berishën! Hollë-hollë pyetje të tilla janë të kota; shqetësimi me sa duket buron prej lëndimit të natyrshëm të sedrës kombëtare. Ndaj ë mira ë do që këtë çështje ta vështrojmë ashtu si e meriton, me sy politik, sepse, edhe ky “incident”, apo “shaka”, flet shumë nga ç’duket. Dihet që në politikë e në marrëdhëniet diplomatike mes shteteve e shtetarëve asgjë nuk është e rastësishme, pra asnjë veprim, apo fjalë nuk konsiderohet se del nga rastësia; kjo do të thotë që edhe ky skandal lipset të shërbejë më shumë se për t’u ndjerë të fyer, për të na treguar me gisht se në çfarë derexheje qënkemi katandisur...E paskësaj vjen përfundimi tjetër: E shikoni, o shqiptarë, se çfarë udhëheqësish keni dhe mbani në krye?...e dëgjuat dje se ai edhe këtë thagmë Berisha e quajti “sukses”? Kjo është ajo që duhet të na dhembë më shumë se fjalët e Berluskonit! Për t’u bindur edhe më për këtë, le të kujtojmë psh si zbriti Berisha në Athinë prej avionit që kthehej nga Ankaraja për t’iu varur në qafë “mikut tim”, kryeministrit grek Karamanlis. E pas kësaj u falën varrezat për ushtarët grekë, për shkollat greke, skandalet e Himarës e të kufirit detar...Erdhi nga SHBA një farë Tom Rixh si këshilltar i qeverisë, e ndonëse ky nuk dihet sa e si u pagua, dimë që futi në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare njëfarë Fazlliçi; e, pas kësaj, dimë gjithashtu që tenderi i rrugës së kombit prej mbi një miliard euro iu dha pa tender Bechtelit...Dihet gjithashtu se ky Tom Rixh, i cili ka humbur pa nam e pa nishan, po të fitonte Mekejn, thuhej sikur do të zëvendësonte si zv.president Dik çenejn e Bechtelit...Kështu pra, që të vazhdojmë edhe më tej, Berisha u prit me dashuri nga Sarkozi në Elize, por sakaq u blenë edhe helikopterët ushtarakë nga Franca...Shembuj të tillë që nuk janë “shakara” mund të jepen plot, por, për të mos dalë nga “tema e Berluskonit”, pas vizitës të “suksesshme” të Berishës në Itali, lind e drejta të pyesim: përveç centralit të premtuar bërthamor, i cili nuk pranohet nga italianët që të ndërtohet në Pulia, mos u premtua që këtu, në Shqipëri, të groposen mbetjet toksike dhe plehrat, një axhendë kjo e vjetër dhe e mbetur në tentativë mes dy palëve? Ja pra përse “shakaja” e hidhur për “vajzat shqiptare” ngjan edhe më e helmët nga ç’duket në pamje të parë! Ja përse edhe kësaj here do të vijnë ndërkombëtarët, të vetmit, që mund t’i japin (ose jo) një zgjidhje krizës së tanishme...E pra, ja si del që çështja e prostitutave për Shqipërinë duket më e pak rëndësishme se çështja e zgjidhjes ose jo të krizës së tanishme, por kurrsesi më pak e rëndësishme se allishverishet për tendera e shitblerje të aseteve ende të paprivatizuara...! Ndaj në fakt duhet falënderuar Berluskoni që na ndihmoi të kuptojmë e të shohim drejt e në sy këtë të vërtetë kaq të hidhtë ë të pistë që e kemi para hundës e nuk po e dallojmë dot!...Apo mos do të vijë së shpejti dita që, pas adhurimit pa kushte të ndërkombëtarëve, për mosmbarëvajtjen e punëve tona, nesër t’ia vëmë fajin jo vetes, po ndërkombëtarëve, Brukselit e Uashingtonit, qoftë edhe Berluskonit që guxoi e na trajtoi si një vend prostitutash?! Por kjo lënie e “Topit” në derë të ndërkombëtarëve, gjithsesi, nuk është zgjidhje, as ngushëllim! Sepse tekefundit Berluskoni le të turpërohet (ose jo) para italianëve të vet, ndërsa ne edhe pse nuk turpërohemi para Topërve tanë, dmth udhëheqësve tanë të lavdishëm, të paktën le të themi me njëri-tjetrin: Ky është një turp i pashembullt!
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›