E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqit kundër ndërtimit të Qendrës Tregtare, vendi përfshihet nga përleshjet

TURQI- Turqia përfshihet nga protesta të fuqishme, pasi përleshjet mes policisë dhe demostruesve lanë disa të plagosur në Stamboll ditën e djeshme. Gjithçka filloi si një tubim paqësor kundër planeve për rizhvillimin e Parkut Gezi në sheshin Taksim në qendër të Stambollit, por situata nisi të përkeqësohej dhe të bëhej e dhunshme kur policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Prej katër ditësh, protestuesit bllokuan parkun Gezi, me qëllimin që të mos lejonin ndërtimin e një qendre tregtare, që do të shkatërrojë të vetmen hapësirë të gjelbër të qytetit. Sipas BBC-së është bërë e ditur se në mëngjesin e sotëm qindra njerëz kanë marshuar përmes Urës së Bosforit në Stamboll për të përkrahur protestuesit anti-qeveritarë, të cilët sulmojnë gjithashtu politikat e kryeministrit Reccep Tayyip Erdogan.

Një numër i madh policie është vënë në dispozicion për t’i bërë ballë situatës dhe për të shmangur çdo akt të dhunshëm. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësimin e tyre për mënyrën e trajtimit të protestuesve dhe Amensty International dënon taktikat e policisë.
(e.m/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›