Turqia: Konsullatat tona për shqiptarët

Berisha me ministrin e Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu
Berisha takon ministrin e Jashtëm, Ahmet Davutoglu. Biseda edhe për Kosovën.
Shqiptarët do marrin shërbim në konsullatat turke
Turqia do të ofrojë shërbime konsullore për qytetarët shqiptarë në të gjitha ato vende ku Shqipëria nuk ka konsullatë. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, gjatë takimit me Kryeministrin Sali Berisha. Në ditën e dytë të vizitës në Ankara, kreu i qeverisë shqiptare bisedoi me kryediplomatin turk edhe për situatën në rajon. Ministri Davutoglu i shprehu Kryeministrit Berisha gatishmërinë e Ministrisë dhe shërbimit diplomatik të Turqisë për të zhvilluar modelet më të shkëlqyera të bashkëpunimit me shërbimin diplomatik shqiptar, përfshi edhe ofrimin e shërbimeve konsullore apo të tjera për qytetarët shqiptarë në përfaqësitë turke nëpër botë, në ato vende ku nuk ndodhen përfaqësi diplomatike shqiptare, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare e falënderoi ministrin Davutoglu për këtë gatishmëri bashkëpunimi edhe më të ngushtë dhe shfrytëzoi rastin për ti përsëritur mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve për mbështetjen që Turqia i ka dhënë në vijimësi Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare të saj. Ne takim u vlerësua rritja e madhe e shkëmbimeve ekonomike e tregtare midis të dy vendeve gjatë këtyre 5 viteve, e cila ka kapërcyer vlerën e 400 milionë dollarëve dhe e investimeve turke në Shqipëri, të cilat i kanë kapërcyer një miliard dollarët, çka dëshmon për besimin që investitorët dhe biznesi turk kanë në ekonominë shqiptare dhe politikat e qeverisë, të cilat kanë krijuar klimën më të favorshme për biznes e investime. Në takim u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer që të dyja vendet kanë ndërtuar në fushën e sigurisë dhe në kuadër të NATO-s, si edhe u theksua roli i rëndësishëm, strategjik e i moderuar që Shqipëria ka luajtur në vijimësi në dobi të forcimit të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë, thuhet më tej në njoftimin për këtë takim. Gjatë bisedës, kreu i Diplomacisë turke vlerësoi arritjet e Shqipërisë në veçanti performancën e ekonomisë shqiptare, duke theksuar se ekonomia shqiptare, falë politikave dhe reformave të suksesshme të qeverisë, i ka qëndruar kësaj kohe të vështira për ekonominë globale.
Investimet në ekonomi
Kam pasur rast të shoh investimet në infrastrukturë të qeverisë shqiptare. Rruga e Kombit është dëshmi e suksesit të saj dhe garanci për suksesin e ardhshëm të rritjes së shpejtë ekonomike të Shqipërisë. Klima e biznesit në Shqipëri ka qenë shumë ftuese për investimet e huaja dhe ato turke, që në këto vitet e fundit janë shumëfishuar, u shpreh dje zv.kryeministri dhe ministri i Ekonomisë së Turqisë, zoti Babaxhan, në takimin ku merrte pjesë edhe Kryeministri Berisha.Marrëveshja për postat
Gjatë takimit turko-shqiptar të biznesit, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit midis Postës Shqiptare dhe asaj të Turqisë, i cili parashikon shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin mes Postës së Turqisë dhe asaj shqiptare në shumë aspekte, si në implementimin e sistemeve bashkëkohore të transfertave financiare apo implementimin e teknologjive të larta dixhitale në shërbimet që ky institucion ofron etj.