E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia, "Ok" miqësores në gusht

Edhe pse mungon konfirmimi përfundimtar, Shqipëria duket se ka siguruar miqësoren e muajit gusht. Kundërshtari i kuqezinjve do të jetë Turqia. Pasi të marrë pjesë në fazën finale të Euro 2008 në Austri dhe Zvicër, përfaqësuesja e drejtuar nga Fatih Terim do të "zbarkojë" në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, që saktësuan se është marrë "Ok" fillestar. "Pas grumbullimit në Gjermani, në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret e Botërorit 2010, Shqipëria do të zhvillojë edhe një tjetër miqësore me Turqinë", pohuan burime zyrtare të institucionit që drejton futbollin. "Trajneri Ari Han kërkoi me ngulm që ndeshja të zhvillohej në Tiranë, pasi në këtë mënyrë do të përgatisë takimin e parë në grup, ku në ‘Qemal Stafa‘ do të vijë Suedia. Nga ana e tyre, drejtuesit e Federatës Turke janë shprehur dakord me këtë kusht". Në pritje të miqësores së gushtit, më 27 maj (ditën e martë), kuqezinjtë kanë një test të rëndësishëm me Poloninë. Takimi kundër pjesëmarrëses në fazën finale të Euro 2008 do të luhet në orën 20:00 me orën shqiptare dhe ajo do të transmetohet direkt në platformën "Super Sport". Ndërkohë, pas miqësores së fituar të mërkurën me Shafhauzen, duket se tekniku Han është i bindur që Paulin Dhëmbi mund të jetë i vlefshëm në mbrojtje. "Nuk e di ku luan ai te Partizani, por ky lojtar ka potencial në mbrojtje", ishte vëzhgimi i holandezit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›