E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet vendimi për akuzat për trukim në Laçi-Apolonia

Komisioni i Disiplinës nuk ka marrë asnjë vendim për takimin Laçi-Apolonia, ku drejtuesit e klubit vendas kanë akuzuar fierakët për trukimin e ndeshjes. Barazimi 1-1 i la laçianët jashtë katër vendeve të para, por drejtuesit e kësaj skuadre akuzojnë se disa lojtarë të tyre kanë marrë 15 mijë euro për të mos fituar. "Komisioni i Disiplinës, pasi mori në shqyrtim materialet e çështjes që i përkasin ndeshjes Laçi-Apolonia të luajtur më 18 maj, vendosi të shqyrtojë në mënyrë të hollësishme të gjitha të dhënat që i janë paraqitur", theksuan burime zyrtare në FSHF. "Për këtë arsye, vendosi që t‘i ngarkojë Inspektoratit të Disiplinës realizimin e disa veprimeve të tjera, për të ndihmuar në zbardhjen e qartë të pretendimeve të ngritura nga drejtuesit e klubit të Laçit. Vendimi do të merret pasi të realizohen detyrat nga Inspektorët e Disiplinës". Apolonia do të luajë në ndeshjet "play-out" kundër Kastriotit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›