Turqia dhe Ballkani Perëndimor
Ato ditë, nëse juve nuk ju pëlqen, ishin kohë të vështira dhe duhej të pajtoheshe me to. Sot pothuajse çdo sektor i shoqërisë ka mundësinë ta thotë fjalën e vet dhe po ndikon në mënyrën e formësimit të politikës së jashtme – pa marrë parasysh se a vjen nga shoqëria civile, biznesi apo është thjesht një burrë që shihni në rrugë. Opinioni publik sot merret parasysh larg më shumë sesa në të kaluarën.
Turqia ka zhvilluar marrëdhënie më të ngushta dhe më pragmatike me shumë fqinj të saj, në të vërtetë edhe me vende që janë larg kufijve të saj, përfshirë shtetet në Amerikën Latine, Afrikë dhe Lindje të Largët. Kjo politikë kishte filluar para se Partia e Zhvillimit dhe Drejtësisë(AKP) kishte shkelur këmbën në zyrat qeveritare, kjo e fundit vetëm sa e ka zgjeruar. Asnjë burrë tjetër nuk është më përgjegjës sesa cari i politikës së jashtme, Ahmet Davutoglu, vizioni dhe “zero probleme me fqinjët” i të cilit duket sipas shumëkujt një qasje e ringjalljes së asaj që Davutoglu i quan ditë të lavdishme të Perandorisë Osmane. Por ato ditë (sikur se me të gjitha perandoritë tjera) moti kanë kaluar. Në vend se të krijojë reminishenca për të kaluarën, Davutoglu duhet të përqendrohet në krijimin e ditëve të lavdishme për Republikën e Turqisë, për të cilat ai së bashku me shokët e tij të AKP-së mund ta ndihmojnë kombin t’i arrijë duke ndjekur udhërrëfyes të rritjes së demokracisë, lirisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut, e të tjera, duke iu qasur mendjehapur çështjeve të mbetura. Në këtë aspekt, shumë eksperimente të politikës së jashtme turke ia kanë dalë me sukses të ndreqin marrëdhëniet e prishura. Megjithatë disa çështje ende presin vjeljen e fryteve të kësaj qasjeje (për shembull, riparimi i marrëdhënieve me Armeninë). Një rajon ku është shënuar progres dhe ku Turqia ka qenë shumë e suksesshme, duke luajtur një rol të fuqishëm në rritje, është Ballkani Perëndimor. Historikisht, gjeografikisht dhe kulturalisht, Turqia është e lidhur ngushtë me rajonin dhe sikurse e ka thënë në shumë raste edhe Davutoglu, shekujt osmanë të Ballkanit ishin rrëfime suksesi. Meqë kohët osmane janë të largëta, Turqia tani me të madhe po mundohet ta rikthejë peshën e dikurshme në rajon me vizita të shpeshta të zyrtarëve të lartë turq. Që nga fillimi i viteve nëntëdhjetë, Turqia ka qenë shumë aktive në Ballkanin Perëndimor, në rend të parë me përfshirjen e saj nëpërmjet NATO-s dhe pastaj BE-së me operacione ushtarake dhe paqësore, por edhe nëpërmjet marrëdhënieve të ngushta me një numër të madh shtetesh të Ballkanit. Turqia ka luajtur me kartën e saj unike të rolit “urë ndërmjet kulturave për ta rritur ndikimin e saj si një ndërmjetësuese. Ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje kushtetuese ndërmjet myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjës në vitin 1993, që ishte bërë e njohur si Marrëveshja e Washingtonit. Dhe Turqia përsëri u përfshi si ndërmjetësuese në vitin 2006 ndërmjet liderëve myslimanë, kroatë dhe serbë të Bosnjës. Një prej rezultateve të kësaj nisme ishte kërkimfalja që erdhi nga Parlamenti Serb për Srebrenicën. Kohëve të fundit, Turqia ka ofruar ndërmjetësim vitin e kaluar në bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në fund këtë detyrë e mori Bashkimi Evropian.
Në vendet që kanë popullsi të madhe myslimane, Turqia në mënyrë të veçantë ka qenë e suksesshme (Bosnjë, Shqipëri, Kosovë) me emetuesit turq që kanë rritur rezultatin pozitiv. Për më tepër, për çdo vit qindra studentë nga Ballkani marrin bursa nga universitete turke. Turqia po ashtu po zbaton një regjim pa viza me të gjitha vendet e rajonit, dhe për çdo herë e më shumë ka mijëra turistë që ia mësyjnë brigjeve të bukura turke gjatë pushimeve verore. Natyrisht se në disa qarqe shihen me dyshime “qëllimet” turke, veçanërisht nga jomyslimanët, me disa prej të cilëve që ditët e lavdishme të Davutoglus i shohin si ditë të skllavërisë. Kjo në mënyrë të veçantë theksohet tek liderët nacionalistë serbë. Por derisa 15 për qind e serbëve e konsiderojnë Turqinë një fuqi të madhe mike, ky mosbesim ka shumë pak efekt. Ka një dëshirë të madhe për t’i rritur marrëdhëniet politike dhe ekonomike. Në mënyrë të veçantë prioritet shihet zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike. Eksporti turk në Ballkanin Perëndimor tani është rreth 7 miliardë dollarë amerikanë dhe importi kap vlerën prej 3.5 miliardë, kështu që definitivisht ka hapësirë për përmirësim. Është shumë e rëndësishme për Ankaranë mundësia transit që përfaqëson ky rajon për t’i çuar mallrat turke në tregun e Bashkimit Evropian. Në vitin 2010, Qeveria serbe është pajtuar të ndërtojë rrugë me 85 për qind të financave që vijnë nga “Turk Eximbank”, agjenci e eksportit kreditor e Turqisë. Kjo ka një potencial të madh dhe me shumë mundësi zgjerimi në sektorin energjetik për ta sjellë gazin kaspik nëpërmjet Turqisë në tregjet e BE-së nëpërmjet Ballkanit Perëndimor. Duket se aftësia sipërmarrëse e Turqisë edhe si ndërtuese paqeje dhe zhvilluese tregtie do t’i ndihmojë për ta rritur hisenë e saj në këtë rajon, që do të sillte përfitime për të gjithë – Turqisë, vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.