SHBA: Shtohen sulmet seksuale në ushtrinë amerikane

Një raport i kohëve të fundit të Pentagonit vë në dukje se numri i ngacmimeve seksuale mes personelit në ushtrinë amerikane vazhdon të shtohet. Numri i incidenteve, nga prekje të papërshtatshme deri në përdhunim, u rrit me 37 për qind vitin e kaluar. Si meshkujt edhe femrat ishin viktima. Kjo gjendje po i nxit ata si dhe aktivistët që të bëjnë thirrje për ndryshime të madha në ushtrinë amerikane, shkruan Zëri i Amerikës.
Më shumë femra shërbejnë në ushtrinë amerikane se kurrë më parë. Dhe ndërsa numri i tyre shtohet, shtohet gjithashtu numri i sulmeve seksuale. Si rezultat shtohen edhe thirrjet që të merren masa për parandalimin e sulmeve të tilla, shkruan noa.
“Sulmi seksual nuk është vetëm krim, nuk është diçka e turpshme, por e ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë ushtrinë më pak të efektshme dhe kjo është diçka e rëndësishme për sigurinë tonë kombëtare”.
Pak njerëz e kuptojnë këtë situatë më mirë se sa veterania Jenny McClendon, e cila u përdhunua nga eprori i saj ndërsa shërbente në marinën amerikane. Tani ajo e përqëndron punën e saj në përpjekjet për të bërë ndryshime nëpërmjet një grupi i quajtur ‘Mbroni mbrojtësit tanë’.
“Nëse nuk u beson njerëzve me të cilët punon se ata do të mbështesnin interesin tënd, nëse nuk u beson njerëzve me të cilët punon që të mos të të sulmojnë, atëherë nuk mund t’i besosh njësisë me të cilën punon gjë që krijon përçarje në këtë njësi pune”.
Femrat përbëjnë tani mbi 14 për qind të forcës aktive dhe për ushtrinë kjo do të thotë sfida të reja në krijimin e një mjedisi, ku meshkujt dhe femrat mund të punojnë dhe jetojnë në mjedise afër njeri tjetrit, ndërkohë që ruajnë profesionalizmin.
Ndërkohë që vitin e kaluar u njoftuan rreth 26 mijë raste të tilla, Kongresi po shqyrton mundësinë e miratimit të dënimeve më të ashpra për sulme seksuale në ushtri. Aktivistët i mirëpresin masa të tilla./Indeksonline/