Turqia kërkon nga Franca anulimin e ligjit për vrasjen e armenëve

Turqia u ka kërkuar ligjvënësve francezë që të hedhin poshtë një legjislacion, që e bën të paligjshme mohimin si gjenocid të vrasjeve masive të armenëve gjatë periudhës osmane, pothuajse një shekull më parë.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, u bëri thirrje të gjithë senatorëve francezë që të mendojnë përtej interesave të tyre politikë.
Ai tha se miratimi i projektrezolutës mund të krijonte një njollë të zezë në historinë intelektuale të Francës, duke theksuar se Turqia do t’ua kujtojë gjithmonë francezëve këtë njollë.
Senati francez ka në planë të debatojë legjislacionin javën që vjen. Dhoma e ulët e parlamentit francez e miratoi projektrezolutën muajin e kaluar.
Në bazë të legjislacionit, kushdo që mohon vrasjet masive të armenëve nga forcat osmane të cilësuar si gjenocid, përballet me gjobë afro 60 mijë dollarë dhe deri një vit burg.