Turqia me sanksione ndaj Assad
Turqia po përgatitë sanksione kundër regjimit sirian të Bashar Al Assad, me të cilin deri vonë kishte marrëdhënie të mira dhe një bashkëpunim të zhvilluar.
Nga Qeveria e Turqisë thuhet se sanksionet do të drejtohen kundër regjimit në Damask, e jo kundër popullit sirian.
Agjencitë ndërkombëtare ndërkaq citojnë një zyrtar të paemëruar turk , se sanksionet do të publikohen brenda pak ditësh, dhe se ato do të godasin armatën siriane, bankat dhe lidhjet energjetike mes dy vendeve.
Ndryshe, Turqia është partneri më i madh ekonomik i Sirisë. Para krizës ishte planifikuar hapja e tetë vendkalimeve kufitare, vendim ky që pasoi heqjen e vizave mes dy shteteve vitin e kaluar.
Por, pasi që Assad nuk i ndali ndjekjet dhe persekutimet e qytetarëve sirianë që sivjet po protestonin kundër tij, Ankaranë, siç thuhet, “e lëshoi durimi” dhe pas shumë presioneve të pasuksesshme diplomatike tani ka vendosur që regjimit sirian t’ia fus sanksionet.
Sipas agjencive, Turqia ka frikë që përkeqësimi i krizës në Siri të mos përhapet edhe brenda kufirit të saj mbi 800 kilometra të gjatë me këtë shtet. Ndërkohë, në juglindje të Turqisë ka muaj të tërë që qëndrojnë mbi 7,000 refugjatë sirianë, të ikur nga regjimi i Assad.