Ish- punëtori: Gruaja ime, një muaj në koma
Një prej ish- punëtorëve të fabrikës rrëfeu se të shoqen e kishte gjetur në spital një ditë më vonë të djegur në gjithë trupin
Dëshmitarët e tjerë treguan se ishin punësuar në punishte nga Dritan Minxolli, ndërsa kishin shkruar emrin në një fletë të bardhë
TIRANE- Dritan Minxholli, ishte njeriu që punësonte njerëzit në fabrikën e Gërdecit, ndërsa ata nënshkruanin në një fletë të bardhë.
Ky ka qenë pohimi i pjesës më të madhe të dëshmitarëve të thirrur dje nga gjykata për të dëshmuar, në procesin e
Gërdecit në ngarkim të 28 personave, ish- funksionarë dhe drejtues privatë të biznesit që drejtonte fabrikën e Gërdecit.
Seanca e djeshme nisi 40 minuta me vonesë nga sa ishte parashikuar për shkak të mungesës së njërit prej avokatëve të të pandehurve.
Lutfi Gërdeci, një prej dëshmitarëve që ka treguar dje për shpërthimin tha se aty i ishte djegur e shoqja me të cilën punonte bashkë me të vëllain, të ëmën dhe kunatin e tij.
Madje sipas tij, ditën e shpërthimit ai nuk po arrinte ta gjente se ku ndodhej ndërsa një ditë më vonë ai e kishte gjetur atë në spital. "Sapo shpërtheu zjarri unë u mundova të largohesha.
Gruan nuk po e gjeja ku ishte",- tha Gërdeci gjatë rrëfimit të tij. "Gruan e gjeta pas shpërthimit në spital. Kishte djegie në 30 % të trupit, ndërsa edhe sot vuan pasojat tragjedisë- tregoi Gërdeci. Sipas tij, bashkëshortja ka qëndruar për më tepër se dy muaj në gjendje kome ndërsa edhe sot e kësaj dite ka probleme shëndetësore.
Ai tregoi se ishte punësuar në muajin qershor të vitit 2007 në Gërdec nga drejtori i fabrikës Dritan Minxholli. "që nga koha e fillimit të punës nuk kemi kryer asnjë herë trajnim se si duhej të punomin dhe kushtet e sigurisë",- tha Gërdeci. Më tej ai pohoi se një herë më parë kishte pasur zjarr në kohën e demontimit të fishekëve. "Kam parë një zjarr tek demontimi i fishekëve.
E fikëm me kova me ujë",- sqaroi dëshmitari që identifikohet me emrin e fshatit të fatkeqësisë. Ndërkaq dëshmitarët e tjerë kanë konfirmuar përdorimin e saldatriçes, nga i ndjeri Qemal Deliu në ambientet e fabrikës, ai dhe pjesëtarët e tjerë të familjes së tij ndërruan jetë nga shpërthimi i 15 marsit të vitit 2008 në Gërdec.
Më tej seanca gjyqësore vijoi me dëshmitë e ish- punonjësve, Arben Dova, Ilir Kranja, Murat Zguri, Nikolin Azizaj e Elis Fjolla, të cilët kanë rrefyer episode të shpërthimit dhe kanë vënë në dukje mungesën e kushteteve të sigurisë veçanërisht të mjeteve kundër zjarrit. Azizaj, tregoi se kishte parë fillimin e flakëve në ambientet e punishtes.
Sipas dëshmitarëve, ata kanë nisur të punojnë në punishten e demontimit të municioneve, pas kontaktit që kanë pasur me Dritan Minxhollin, ndërsa kanë shënuar emrin e mbiemrin e tyre në një fletë të bardhë, në të cilën kishin vendosur firmën e tyre.
Minxholli: Prokuroria nuk më ka pyetur për shpërthimin
Gjatë seancës së djeshme, pas deklarimeve të dhëna nga dëshmitarët, reagoi edhe Dritan Minxholli, i vetmi që ka reaguar gjatë dëshmive të administruara nga gjykata të personave të pyetur prej saj deri më tani. "Asnjëherë prokuroria nuk më ka pyetur për marrëdhëniet e mia me Qemal Deliun dhe për saldimet që ai bënte për llogari të fabrikës,- pohoi drejtori i punishtes.
Më tej ai deklaroi se asnjëherë prokuroria nuk e kishte pyetur se si shpertheu fabrika Gërdecit. "Unë nuk kam dhënë asnjëherë versionin tim mbi ngjarjen",- deklaroi Minxholli. Në fund të deklaratës së tij, drejtuesi i trupit gjykues siguroi të akuzuarin se ai mund të jepte versionin e tij në Gjykatë, të drejtë që ia garantonte ligji.