E Diel, 1 Nëntor 2026

Administrata “Basha” fillon punën, Jorida Tabaku emërohet nënkryetare e bashkisë së Tiranës

27-07-2011 / Nga Leonard Quku

Kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha një ditë pas marrjes së detyrës së tij zyrtarisht, prezantoi nënkryetaren e re të institucionit që ai drejton, Jorida Tabaku. Tabaku vjen në këtë detyrë, pasi më parë ka ushtruar funksionet e zëvendësministres së Integrimit si dhe pas disa vitesh përvojë pune si pedagoge në Universitetin e Tiranës.
Në prezantimin para mediave të nënkryetares së bashkisë, Jorida Tabaku, kryebashkiaku Basha u shpreh i bindur se ka afruar në bashkinë e Tiranës një kapacitet të çmuar profesional dhe qeverisës, për t’ju përgjigjur bindshëm prioriteteve të administratës “Basha”, në ndihmë dhe në shërbim të qytetit e qytetarëve të Tiranës. Sipas Bashës, formacioni i tij, në institucionin që do të drejtojë për 4 vitet e ardhshme, ka si filozofi të vetme punën dhe vënien të parin qytetin dhe qytetarët. Një nga prioritetet kryesore të bashkisë së Tiranës do jetë zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës, përgjegjësi kjo që iu la direkt nënkryetares së re të bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku. “Jemi në këtë konferencë për shtyp që t’ju njoh ju dhe nëpërmjet jush qytetarët e Tiranës, për vendimin që kam marrë sot për të emëruar zonjën Jorida Tabaku si nënkryetare të bashkisë së Tiranës. JoridaTabaku natyrisht që nuk është e panjohur për opinionin publik, por unë dëshiroj që shkurtimisht të vë në pah disa aspekte të rëndësishme të shërbimit të saj të deritanishëm që natyrisht kanë qenë faktorë të rëndësishëm në vendimin tim. Jorida Tabaku ka një përvojë të gjatë akademike, doktoreshë shkencash të ekonomisë dhe menaxhimit, pedagoge e fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, menaxhere e suksesshme e projekteve të rëndësishme të USAID dhe Bankës Botërore, veçanërisht të lidhura me përmirësimin e efiçencës së sektorit publik. Po kështu një përvojë me shoqërinë civile ku ka drejtuar rrjetin e studentëve të Ekonomisë për një kohë të gjatë dhe natyrisht detyra e saj e fundit si ish zëvendësministre e Integrimit, e cila padyshim është shpalosur para publikut si një detyrë shumë e rëndësishme, të cilën e ka kryer me sukses të plotë. Por, ajo që dua të theksoj nuk janë thjesht këto momente, por bindja ime se emërimi i zonjës Tabaku në këtë detyrë të rëndësishme, është në përputhje të plotë me frymën e bashkisë së Tiranës tani më, shërbimin ndaj qytetarëve, vënien e interesave të qytetarëve të parat dhe profesionalizimin. Këtu kam kënaqësinë të theksoj faktin se jo vetëm për shkak të historikut të shërbimit të familjes apo familjeve nga Tabaku origjinon, por edhe për shkak të kredencialeve të saj kaq të forta, unë kam besimin të plotë se shërbimi ndaj qytetarëve dhe vënia e interesave të qytetarëve të parët, do të jetë një refren i përhershëm i punës së nënkryetares së re të bashkisë. Unë do t’i kërkoj Tabakut të angazhohet fuqimisht për një nga prioritet kryesore të bashkisë së Tiranës që është zhvillimi ekonomik dhe punësimi: hapja e vendeve të reja të punës. Edhe përvoja e saj e mëparshme është një garanci më shumë për, përballjen me sukses të sfidave të mëdha që nënkuptojnë këto dy prioritete kryesore të bashkisë së Tiranës dhe po kështu puna jonë e përditshme nuk do të jetë afatshkurtër, por do të jetë afatgjatë për brezat e ardhshëm dhe puna në veçanti për rininë. Për rininë e qytetit do të jetë po ashtu një aspekt i rëndësishëm i portofolit të nënkryetares së re të bashkisë së Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku Lulzim Basha. Kryebashkiaku Basha shprehu kënaqësinë e tij për praninë e një kapaciteti të tillë domethënës në administratën e bashkisë, për Tiranën e sotme, por edhe për aspiratën e Tiranës së ardhshme.

Jorida Tabaku: Qytetarët të parët, do të jetë filozofia e punës
Nënkryetarja e re e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku falënderoi kreun e Bashkisë për besimin në detyrën që i dha, por edhe qytetarët për mundësinë që i kanë dhënë për të qeverisur kryeqytetin. Tabaku u zotua se administrata “Basha” do mbajë premtimet e fushatës elektorale, duke shtuar se katër vitet e ardhshme të qeverisjes së qytetit, do jetë vitet e zhvillimit ekonomik dhe të ndryshimit të madh. Sipas saj, Tirana i ka të gjitha potencialet për t’i shërbyer më së miri qytetarëve. “Ju falënderoj ju dhe qytetarët e Tiranës për mundësinë që na dhanë që ta bashkë-qeverisim kryeqytetin. Ashtu siç edhe ju shprehët portofoli që unë do të drejtoj do të jetë ambicioz, do ju ndihmoj për të zbatuar politikat tuaja në lidhje me nxitjen e punësimit, thithjen e investimeve të huaja, në lidhje me krijimin e vendeve të reja të punës që besoj se do të jetë një nga sfidat e ardhshme të bashkisë së Tiranës. Sigurisht që në këto vite kemi parë shumë ndryshime në Tiranë, ndryshime të mira, por unë jam akoma e bindur se ka shumë potencial, potencial të pashfrytëzuar që ne së bashku do ta shfrytëzojmë në të mirë të qytetarëve të Tiranës. Ajo që ka rëndësi për mua ashtu dhe për ju, është se Tirana nuk është thjesht një qyteti, është qyteti im, kam jetuar për pjesën më të madhe të jetës këtu dhe jam e sigurt se ato ndryshime që do të fillojmë së bashku, ato ndryshime që do të ketë Tirana në 4 vitet e ardhshme, do të ndikojnë në jetën e qytetarëve të Tiranës, për të gjithë brezat e ardhshëm. Ashtu siç kemi diskutuar bashkë gjatë fushatës elektorale me qytetarëve, vendosja e qytetarëve të parët, vendosja e Tiranës e para, nuk është thjesht një slogan elektoral, por është një filozofi pune, një mënyrë të menduari që ashtu sikurse ju edhe unë e mendoj dhe bashkë do ta realizojmë”, u shpreh nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku.
Zonja Tabaku ka dhënë kontributin e saj, në përqasjen e fushatës zgjedhore të 8 majit, ku dëgjimi i zërit të qytetarëve dhe vendosja e interesave të tyre mbi betejat politike ishte filozofia dhe mesazhi kryesor.
Përpara se të merrte detyrën e re të nënkryetares së Bashkisë, zonja Tabaku dha dorëheqjen nga detyra e zëvendësministres së Ministrisë së Integrimit, si dhe nga funksioni i këshilltares së PD-së, pranë Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Tiranës. Në bazë të formulës së listës emërore të kandidatëve të Partisë Demokratike për këshillin bashkiak të Tiranës, në vend të saj anëtar këshilli zgjidhet artisti Bojken Lako.
Zonja Tabaku është doktore e Shkencave Ekonomike. Që nga viti 2002 ajo ka punuar si lektore në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Prej vitit 2001 ajo është anëtare e PD-së. Për më se 5 vjet ajo ka ofruar konsulencë në kuadrin e një projekti të DFID, për shumë ministri të linjës në fushën e hartimit të politikave dhe buxhetimit.
Jorida Tabaku ishte kryesuesja e listës së Partisë Demokratike për Këshillin në Bashkinë të Tiranës në zgjedhjet e 8 majit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›