Risia - Lulzim Basha hap sot dyert e Bashkisë, pret në takime publike qytetarët

Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha pritet të sjellë një tjetër risi në mënyrën e administrimit të qytetit, teksa premtimin e tij për bashkë vendimmarrje me qytetarët, do ta bëjë një realitet faktik. Kryebashkiaku Basha deklaroi dy ditë më parë, gjatë betimit para anëtarëve të këshillit bashkiak se do të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe për këtë dyert e bashkisë do jenë gjithnjë të hapura. Pikërisht nga sot kryebashkiaku Basha do të presë në zyrën e tij çdo qytetar që do t’i drejtohet dyerve të bashkisë. “Që në krye të herës kjo fushate nuk ishte për mua, apo për kundërshtarin tim, kjo fushate ishte vetëm dhe vetëm për ju. Unë dëgjova problemet dhe idetë tuaja dhe mund të them se mësova prej jush gjëra që nuk do t’i harroj kurrë. Ju siguroj që me të njëjtin përkushtim do të vazhdoj t’u dëgjoj edhe ne këtë rrugëtim të ri që na pret. Sepse, unë besoj se pa dëgjuar zërin tuaj, askush nuk mund t’u shërbejë e aq me pak t’u bëjë ju pjesë të bashkëqeverisjes, tek e cila unë besoj fort. Ndaj, këtë të mërkurë pasdite, unë do të hap dyert e Bashkisë së Tiranës për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të vijnë në bashkinë e tyre dhe do të qëndroj aty derisa të jem takuar me të gjithë ju pasi Bashkia e Tiranës, i përket të gjithë qytetarëve të saj dhe jo një apo disa prej partive politike, dhe çdo qytetar ka të drejtë të marrë pjesë në bashkëqeverisje”- u shpreh Basha gjatë betimit të tij para anëtarëve të këshillit bashkiak të Tiranës. Po ashtu z.Basha do e kthejë në ritual administrativ orarin e takimeve me qytetarët e Tiranës, duke filluar nga e premtja e ardhshme. “Duke filluar nga e premtja tjetër, unë do të realizoj një nga premtimet e bëra gjatë fushatës, për të përcaktuar orare zyrtare të takimit me qytetarët, në mënyrë që ju të takoni Kryebashkiakun tuaj dhe të bisedoni personalisht me të për problemet tuaja, apo për mendimet që mund të keni në lidhje me zhvillimin e komunitetit tuaj”- tha Basha. Ai garantoi se nën qeverisjen e tij, Bashkia e Tiranës do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët, dhe të gjithë janë shumë të mirëpritur.
Kosovrasti: Administrata e vjetër është e mirëpritur të bashkëpunojë- s’do ketë largime nga puna/Një ditë pasi bashkia kaloi zyrtarisht në drejtimin e Lulzim Bashës, demokratët garantojnë se nuk do të ketë lëvizje në staf. Njazi Kosovrasti, kryetari i ri i Këshillit Bashkiak komenton dhe dorëheqjen masive të stafit bashkëpunues të ish- kryebashkiakut Rama. Duke e renditur këtë veprim së bashku me refuzimin e Ramës për t’i kaluar stafetën pasardhësit, si më të shëmtuarat e kësaj rokade. “Ai nuk është stafi i zotit Rama. Ata drejtorë, që është një numër i konsiderueshëm që kanë dhënë dorëheqjen, kanë bërë një gabim të pafalshëm. Nuk do të kishte ndodhur ajo që ata menduan se do të ndodhte. Për mua nëpunësit nuk e kanë menduar se do të ndodhte. Iu është kërkuar të largohen. Dy gjëra të shëmtuara ka pasur kjo ngjarje, kjo dorëheqje e drejtorëve që nuk është faji i tyre dhe që zoti Rama, kryetari i djeshëm i bashkisë së Tiranës, nuk dorëzoi detyrën ashtu siç i takonte çdo kryetari”- tha Kosovrasti. Sfidë për bashkinë e re do të jetë dhe miratimi i buxhetit vjetor i cili për mungesë votash në këshill prej një viti ka qenë mujor. Lulzim Basha të hënën si qytetar i parë i kryeqytetit para Këshillit Bashkiak, i cili u konstituua në një mbledhje të gjatë që zgjati për rreth 4 orë.