E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Nuk e lë PS-në derisa ta rikthej në pushtet”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka dhënë dje një mesazh të drejtpërdrejtë teksa ka deklaruar se ai nuk do kishte ndër mend të tërhiqej nga drejtimi i Partisë Socialiste derisa kjo forcë politike të kthehej në një alternativë qeverisëse në pushtet. “Duhet të jeni të sigurt se PS-ja është një familje e madhe dhe e shëndetshme politike. Pa asnjë dyshim ne jemi të vetëdijshëm për gjithçka kemi bërë e për gjithçka që pritet të bëjmë. Ndërkohë që ju siguroj ju dhe gjithë të tjerët se rezultati i këtyre zgjedhjeve, i cili për ne nuk ishte i mjaftueshëm, nuk do të bëhet dot alibi për askënd që ta kthejë mbrapa Partinë Socialiste. PS do të shohë përpara dhe do të shkojë përpara për të kthyer në alternativë qeverisëse në pushtet këtë projekt që e ka bërë PS-në më 28 qershor forcën e parë politikë në Shqipëri. Duke qenë forca e parë politike në Shqipëri ne jemi sot shumë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi. Ashtu sikundër pas marrëveshjes së pistë mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, ne sot kemi vetëdijen se jemi shtëpia e madhe e të gjithë socialistëve dhe progresistëve, dhe vendi ku do të gjejnë vendin e tyre jo vetëm ata që ishin me ne më 28 qershor, por edhe ata që nga 28 qershori dolën të tradhtuarit e mëdhenj, socialistët dhe progresistët, burrat dhe gratë, djemtë e vajzat, që sinqerisht besuan në projektin politik të Ilir Metës dhe që sinqerisht e votuan atë projekt dhe sot janë të nëpërkëmburit e mëdhenj të kësaj historie batakçinjsh të vjetër, në një Shqipëri që nuk është hera e parë që e shijon kaq rëndë tradhtinë”, - tha Rama.

7 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›